Bota e futbollit është në zi pas ndarjes nga jeta të ish-portierit gjerman Xhorxh Koh. Ai ndërroi jetë në moshën 54-vjeçare pas një beteje me tumorin në pankreas, sëmundje me të cilën ishte diagnostikuar një vit më parë.
Koh ishte një nga portierët e njohur të futbollit evropian, duke lënë gjurmë në disa klube të rëndësishme si PSV Eindhoven në Holandë, Rapid Vjenë në Austri dhe Dinamo Zagreb në Kroaci. Ai u dallua për talentin dhe performancat e tij në portë, duke qenë pjesë e kampionateve dhe kompeticioneve evropiane.
Karriera e tij u shënua edhe nga një episod dramatik që ndikoi ndjeshëm në jetën dhe rrugëtimin profesional. Në vitin 2009, gjatë derbit të Vjenës mes Rapidit dhe Austria Vjenës, një kapsollë shpërtheu pranë veshit të tij. Incidenti i shkaktoi dëmtime të rënda dhe të pariparueshme në dëgjim dhe në ekuilibër, duke i ndërprerë praktikisht zhvillimin e mëtejshëm në karrierë.
Në vitin 2024, kur u diagnostikua me tumor në pankreas, Koh foli publikisht për gjendjen e tij shëndetësore. “Sëmundja nuk mund të kurohet dhe unë do të vdes, por Zoti nuk e ka vendosur ende se kur do të më marrë”, ishte shprehur ai me dinjitet.
Lajmi për vdekjen e tij ka tronditur komunitetin e futbollit dhe ish-bashkëlojtarët e kundërshtarët e tij në fushë. Mes reagimeve ishte edhe ai i ish-portierit të njohur gjerman Jens Lehman.
“Është një ditë e trishtë. U largua shumë shpejt. Shpesh luanim kundër njëri-tjetrit dhe pothuajse gjithmonë ishte më i zoti se unë”, u shpreh Lehman në një mesazh ngushëllimi për ish-rivalin e tij në fushën e lojës.
Ndarja nga jeta e Xhorxh Koh shënon humbjen e një figure të njohur të futbollit evropian, i cili do të kujtohet si për talentin në portë, ashtu edhe për forcën me të cilën përballoi sfidat e jetës.







