Ballina Politika “Harta gjyqësore është një dështim”/ Reforma në drejtësi, Xhixho: Cilësia e vendimmarrjes,...

“Harta gjyqësore është një dështim”/ Reforma në drejtësi, Xhixho: Cilësia e vendimmarrjes, vihet në rrezik real

95
0

Sot Partia e Lirisë hodhi kritika ndaj reformës në drejtësi, duke e cilësuar hartën gjyqësore si një dështim që, sipas Erisa Xhixhos, po u mohon qytetarëve drejtësinë e vërtetë.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Xhixho publikoi shifra që, sipas saj, tregojnë përkeqësimin e situatës në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, ku stoku i dosjeve ka shkuar nga 41,700 në 45,876 brenda një viti dhe çdo vit shtohen rreth 4,100 çështje të reja.

Sipas Xhixhos sistemi po shkon drejt kolapsit dhe dhe vë në rrezik cilësinë e vendimmarrjes në drejtësi. “Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar” tha ajo në reagimin e saj në rrjete sociale.

Erisa Xhixho:

Harta gjyqësore një dështim i paralajmëruar që po u mohon qytetarëve drejtësinë. Tre vite pas vënies së saj në zbatim, realiteti në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm tregon qartë se reforma nuk ka arritur të garantojë drejtësi të shpejtë dhe efektive. Shifrat janë alarmante: Stoku i dosjeve është rritur nga 41,700 në 45,876 brenda një viti Rreth 4,100 çështje shtohen çdo vit 64% janë çështje civile që zvarriten me vite Një proces gjyqësor zgjat 1–2 vite në shkallë të parë dhe deri në 5–7 vite vetëm në Apel.

Kjo ka rritur kostot për qytetarët dhe ka kufizuar aksesin në drejtësi, në kundërshtim me standardet europiane që kërkojnë institucione më pranë qytetarit. Kjo nuk është më vonesë — është mohim i drejtësisë. Sot, nga 78 gjyqtarë të parashikuar, janë vetëm 42 në detyrë. Me mbi 400 dosje në vit për çdo gjyqtar dhe me probleme serioze infrastrukturore, cilësia e vendimmarrjes vihet në rrezik real.

Këtë hartë gjyqësore e kemi kundërshtuar që në fillim. Fatkeqësisht, koha na dha të drejtë: sistemi po shkon drejt kolapsit. Reforma në drejtësi ka dështuar në misionin e saj kryesor — t’u japë qytetarëve drejtësi të shpejtë, cilësore dhe efektive. Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar.