Vetëm një pjesë e vogël e legjislacionit të Bashkimit Evropian në fushën e transportit është zbatuar plotësisht në Shqipëri, ndërsa pjesa më e madhe mbetet ende për t’u harmonizuar, sipas Strategjisë së Transportit dhe Planit të Veprimit 2030.
Dokumenti tregon se aktualisht vetëm 15% e acquis është përafruar plotësisht, ndërsa 40% është në proces të pjesshëm dhe rreth 45% mbetet ende për t’u përafruar, duke theksuar hendekun e konsiderueshëm që vendi duhet të mbyllë në kuadër të integrimit evropian. Ky proces konsiderohet kyç për avancimin e negociatave në kapitujt e transportit dhe për aksesin në fondet e BE-së.
Strategjia parashikon që ky hendek të mbyllet deri në vitin 2027, përmes një programi të përshpejtuar reformash ligjore dhe institucionale. Më konkretisht, synohet ndërtimi i një kuadri rregullator të harmonizuar në të gjitha mënyrat e transportit: rrugor, hekurudhor, detar dhe ajror, i cili do të garantojë konkurrencë të ndershme, siguri më të lartë, ndërveprueshmëri dhe integrim të plotë në tregun evropian.
Në transportin rrugor, masat përfshijnë përafrimin me rregullat e BE-së për hyrjen në treg, standardet sociale dhe sigurinë, si dhe zhvillimin e infrastrukturës për karburante alternative dhe sistemeve inteligjente të transportit. Në sektorin hekurudhor, fokusi vihet te zbatimi i plotë i paketës së katërt hekurudhore, që lidhet me sigurinë, ndërveprueshmërinë dhe hapjen e tregut.
Ndërkohë, në transportin detar dhe ujor synohet harmonizimi i legjislacionit për sigurinë dhe mjedisin, si dhe krijimi i kuadrit për transportin në ujërat e brendshme, ndërsa në aviacion parashikohet përafrimi me standardet e Hapësirës së Vetme Ajrore Evropiane dhe forcimi i sistemeve të mbikëqyrjes dhe sigurisë.
Paralelisht me përafrimin ligjor, strategjia vendos thekson edhe zbatimin praktik të këtyre rregullave deri në vitin 2030. Për të arritur këtë qëllim, parashikohet ngritja e mekanizmave të monitorimit dhe raportimit, forcimi i autoriteteve rregullatore, trajnimi i stafit dhe përdorimi i sistemeve digjitale për kontroll dhe zbatim.
Në sektorin rrugor, do të intensifikohen kontrollet e bazuara në risk, përdorimi i tahografëve inteligjentë dhe zbatimi i standardeve të sigurisë së infrastrukturës. Në hekurudha synohet funksionalizimi i plotë i autoriteteve dhe zbatimi operacional i standardeve evropiane, ndërsa në sektorin detar dhe ajror parashikohet modernizimi i sistemeve të monitorimit, sigurisë dhe menaxhimit të trafikut, në përputhje me kërkesat e BE-së./ekofin.al







