Ballina Bota Ushtari izraelit thyen me çekan statujën e Krishtit, shpërthen indinjata në Liban

Ushtari izraelit thyen me çekan statujën e Krishtit, shpërthen indinjata në Liban

95
0

Ushtria izraelite ka nisur një hetim në lidhje me një pjesëtar të saj, i cili është fotografua duke goditur me çekan një statujë të Jezusit në jug të Libanit.

Duke cituar IDF-në, The Guardian thotë se fotoja që ka qarkulluar online është autentike dhe po trajtohet me seriozitetin më të madh. Ushtari shihet aty teksa përdor çekanin për të goditur kokën e statujës së rrëzuar.

Skulptura gjendet në Debl, një fshat me shumicë kristiane në jug të Libanit, pranë kufirit me Izraelin. Në një postim në llogarinë e saj zyrtare në platformën X, IDF-ja pohon se “sjellja e ushtarit është krejtësisht e papërshtatshme me vlerat që priten të tregohen nga trupat e saj”. “Pas përfundimit të një ekzaminimi fillestar lidhur me fotografinë e publikuar më herët, e cila tregon një ushtar të IDF duke dëmtuar një simbol të krishterë, u përcaktua se fotoja e dëshmon vërtet veprimin e tij, në një episode të ndodhur në jug të Libanit”, thuhet në njoftim.  Incidenti po hetohet nga Komanda Veriore e ushtrisë dhe po trajtohet “përmes të gjithë zinxhirit komandues”, vazhdon mesazhi.

Ushtria izraelite thotë se do të merren masat e nevojshme ndaj personave të përfshirë, pa dhënë detaje të mëtejshme. Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar, e dënoi atë që e përshkroi si “akt të turpshëm”.

“Kërkojmë falje për këtë incident dhe për çdo të krishterë që u ndje i ofenduar”, shkroi ai në X. Libani u përfshi në luftën e Lindjes së Mesme në fillimin e muajit mars kur grupi i armatosur që vepron atje i mbështetur nga Teherani, Hezbollahu, lëshoi raketa drejt Izraelit në mbështetje të Iranit dhe shteti hebre u përgjigj me sulme masive në gjithë Libanin dhe me mësymje në rajonet jugore.

Trupat izraelite janë ende në jug të vendit pavarësisht armëpushimit që hyri në fuqi ditën e premte.