Kompania evropiane e hapësirës “ArianeGroup” po shqyrton mundësinë e rritjes së numrit të raketave që dërgon në hapësirë në vitet e ardhshme, bëri të ditur drejtuesi i saj në Gjermani, Pierre Godart.
Ai theksoi se tashmë ekzistojnë diskutime për hapat e ardhshëm, megjithëse ende nuk janë përcaktuar shifra apo afate konkrete.
Raketa “Ariane 6” konsiderohet thelbësore për ambiciet hapësinore të Evropës, pasi i mundëson kontinentit të lëshojë në mënyrë të pavarur satelitë më të mëdhenj. Gjatë këtij viti pritet të realizohen 7 deri në 8 lëshime, ndërsa objektivi aktual është arritja e rreth 10 lëshimeve në vit deri në vitin 2027.
Planet për zgjerim po koordinohen me rreth 600 kompani të përfshirë në këtë program.
Sipas Godart, çdo rritje e prodhimit duhet të jetë e qëndrueshme në afat të gjatë, për të shmangur luhatje të mëdha nga një vit në tjetrin.
Lëshimi i radhës i “Ariane 6” është planifikuar për të martën nga baza evropiane në Guajanën Franceze, ku raketa do të transportojë 32 satelitë për gjigantin e teknologjisë “Amazon” Në total janë planifikuar 18 misione të tilla, ndërsa fluturimi i parë në shkurt u zhvillua me sukses, duke përdorur konfigurimin më të fuqishëm të raketës.
Programi “Ariane 6” përfshin pjesëmarrjen e dhjetra vendeve evropiane dhe synon forcimin e pavarësisë së Evropës në sektorin strategjik të hapësirës.







