Ikona e futbollit Diego Maradona vuante nga çrregullimi bipolar dhe çrregullimi narcisist i personalitetit, sipas një dëshmie të dhënë në gjyqin që po zhvillohet për vdekjen e tij. Lajmi është raportuar nga ANSA, duke iu referuar burimeve të AFP-së.
Psikologu Carlos Diaz, pjesë e ekipit mjekësor të Maradonës, dëshmoi në gjykatën e San Isidro në Buenos Aires, ku disa profesionistë shëndetësorë po përballen me akuza për neglizhencë të mundshme në trajtimin e legjendës argjentinase. Ai deklaroi se përveç varësisë nga alkooli dhe substancat psikotrope, ish-futbollisti përballej edhe me probleme të tjera të rënda të shëndetit mendor.
“Në rastin e Maradonës, përveç varësisë së tij nga alkooli dhe drogat psikotrope, na u desh të trajtonim çrregullimin e tij bipolar dhe çrregullimin narcisist të personalitetit”, tha Diaz.
Sipas tij, përdorimi i substancave ishte i lidhur ngushtë me karrierën dhe mënyrën si ai përballonte frustrimet. “Më thanë se abuzimi i tij me substancat ishte i lidhur ngushtë me sukseset e tij sportive dhe se, përballë frustrimit, ai nuk dinte si ta përballonte atë”, u shpreh ai, duke shtuar gjithashtu se “ai donte të detoksifikohej” në muajt e fundit të jetës së tij.







