Nga Osman Stafa
Sali Berisha po hyn në zgjedhjet e 23 majit i vetëm. Pa rivalë. Pa garë reale. Por më e rëndësishmja: pa premtimin për fitore. Berisha vetë e thotë. Me Edi Rama nuk fitohet. Sepse, sipas tij, vota vidhet. Thotë se misioni i tij është “mbrojtja e votës”. Por edhe atë Rama ia vjedh.
Atëherë ndalo pak.
Nëse nuk fitohet… pse hyn në garë?
Nëse vota vidhet… pse kërkon të jesh kryetar?
Si mision mund të jetë “të mbrosh votën”… kur vetë thua që nuk e mbron dot?
Kjo nuk është strategji. Është kapitullim i paketuar si kauzë.
Shqipëria sot nuk është më në krizë, është më shumë se kaq. Është në një deformim të plotë të sistemit. Korrupsioni nuk fshihet më, bërtet. Abuzimi nuk justifikohet, se është kthyer në institucion. Si mund të rrijë në pushtet, një parti që SPAKU, tashmë e ka delegjitimuar me akuza në nivele të larta? Si mund të rrijë një qeveri në pushtet pa i hyrë një gjemb në këmbë, teksa skandalet si: Akshi, inceneratorët, rrugët, abuzimet e luksit, janë ashiqare. Pra çfarë duhet të ndodhë më që opozita të frymëzojë? Nëse ndodhin këto gjëra e opozita nuk frymëzon, ka një problem.
A frymëzon Sali Berisha sot, përballë korrupsionit të Ramës?
Pyetja thelbësore është kjo:
A është Sali Berisha njeriu që mund të kthejë shpresën tek shqiptarët?
Kur vetë thotë “nuk fitoj”, përgjigjja është dhënë prej tij.
Dhe këtu hyn tragjedia tjetër: Partia Demokratike nuk është bosh. Ka njerëz. Ka figura. Ka kapacitete. Por nuk ka guxim. Nuk ka një zë që t’i thotë liderit të vet: ndalo. Mjaft. Ndrysho kurs.
Sepse kostoja është e qartë: kush flet, digjet. Kush sfidon, përjashtohet. Kush mendon ndryshe, zhduket politikisht.
Dhe ndërkohë, jashtë kësaj “loje” të mbyllur, është Shqipëria reale.
Janë njerëzit që presin ilaçe dhe nuk i gjejnë. Janë pensionistët që numërojnë lekët për bukë. Janë të rinjtë që largohen sepse nuk shohin të ardhme. Ata nuk kanë luksin e lojërave politike. Ata paguajnë faturën.
Nëse opozita hyn në një garë që vetë e quan të humbur, atëherë nuk kemi më opozitë. Kemi një alibi. Një mekanizëm që mban gjallë një status quo, ku të gjithë mbajnë njëri-tjetrin dhe askush nuk paguan kostot.
Dhe kjo është më e rrezikshme se çdo manipulim zgjedhor.
Sepse nuk është më çështje vjedhjeje vote. Është çështje mungese vullneti për të fituar.
Këto nuk janë fjalë nga një militant.
As nga një i blerë. As nga dikush që pret favore. Por nga një gazetar i cili mbulon zhvillimet në opozitë. Nga një gazetar që nuk bie pre e propagandës dhe as ka lidhje me fijet e pushtetit.
Janë fjalë nga dikush që sheh çdo ditë çfarë ndodh në terren.
Dhe që e ka të qartë një gjë:
Shqipëria nuk ka më kohë për liderë që hyjnë në garë pa besuar se fitojnë.
Sepse nuk e paguan lideri, e paguan Shqipëria dhe shqiptarët, që sot kanë një opozitë, e cila nuk frymëzon.







