Roma ka marrë një fitore të madhe në javën e 35-të të Serie A, duke e mposhtur Fiorentinën me rezultat të thellë 4-0, sukses që e mban skuadrën në garë të fortë për një vend në Ligën e Kampionëve.
Me këto tri pikë, verdhekuqtë i afrohen Juventusit në vetëm një pikë, ndërsa deri në fund të kampionatit kanë mbetur edhe tri xhiro.
Ekipi i Gian Piero Gasperinit e nisi ndeshjen me intensitet të lartë dhe e zhbllokoi rezultatin në minutën e 13-të, kur Gianluca Mancini shënoi me kokë pas krosimit nga këndi të Niccolo Pisilli.
Vetëm katër minuta më pas, Roma e dyfishoi epërsinë: Wesley Franca realizoi për 2-0 pas një pasimi të mençur nga Mario Hermoso (17’).
Dominimi vazhdoi dhe në minutën e 34-t Hermoso shënoi edhe vetë, pas asistimit të Manu Kone, duke e çuar rezultatin në 3-0 që në pjesën e parë.
Në pjesën e dytë, Roma nuk u ndal. Në minutën e 58-të, Niccolo Pisilli u shfaq sërish vendimtar, kësaj here si realizator, duke shënuar me kokë pas një krosimi të Donyell Malen për 4-0.
Edhe pse Malen pati edhe një goditje në traversë (52’) dhe Roma krijoi raste të tjera, rezultati nuk ndryshoi deri në fund.
Fiorentina pati pak momente rreziku, ku goditi edhe shtyllën në fillim të pjesës së dytë, por nuk arriti ta gjejë rrugën e golit.
Me këtë fitore bindëse, Roma jo vetëm që rrit moralin në momentin vendimtar të sezonit, por edhe e bën edhe më të ashpër luftën për Top 4, duke i vendosur presion direkt Juventusit në tri xhirot e fundit.







