Policia e Shtetit ka blinduar godinën e Kryeministrisë dhe atë të Parlamentit, në kuadrin e masave që zakonisht merren para protestave të thirrura nga opozita.
Rreth 90 minuta përpara orarit zyrtar të nisjes së protestës së thirrur nga Partia Demokratike dhe aleatët e saj, në godinën e Parlamentit, në rrugën e Elbasanit, dhe atë të Kryeministrisë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, janë pozicionuar jo vetëm trupat policore, por edhe makinat që hedhin ujin me presion.
Këto automjete stacionohen në oborret e brendshme të dy institucioneve dhe vihen në funksion sa herë ka tensione ose ndërmerren veprime për shpërndarjen e protestuesve, kur prej tyre hidhen molotovë në drejtim të forcave të rendit ose godinave.
Në total, Policia e Shtetit ka angazhuar mbi 1500 forca policore, duke përfshirë të gjithë repartet, ndërsa peshën më të madhe në rastet e protestave që konsiderohen të dhunshme, e mbajnë Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe ato Shqiponja.
Duket se Policia ka informacione se protestuesit pasi të mblidhen në bulevardin Dëshmorët e Kombit, do të shkojnë edhe te Parlamenti, një skenar tashmë i përsëritur disa herë.







