Ballina Aktualitet Raporti i KLGJ/ Mbi 20 mijë çështje ende pa zgjidhje në gjykata,...

Raporti i KLGJ/ Mbi 20 mijë çështje ende pa zgjidhje në gjykata, 111 gjyqtarë ende të nevojshëm

91
0

Raporti i Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ), i paraqitur në Parlament, nxjerr sërish në pah problematikën e vonesave në shqyrtimin e çështjeve gjyqësore në vend.

Sipas dokumentit, aktualisht në sistemin gjyqësor janë ende 20 mijë e 888 çështje të pazgjidhura.

Megjithatë, vihet re një ulje e ndjeshme e stokut krahasuar me fundin e vitit 2021, kur numri i çështjeve të mbetura pezull ishte 36 mijë e 288.

Në raport theksohet gjithashtu se, krahasuar me gjetjet e vitit 2024, numri i çështjeve të prapambetura është ulur me 5 mijë e 170 raste, ndërsa koha e shqyrtimit në seanca është reduktuar me rreth 10 për qind.

Reforma në drejtësi vijon të ketë mbështetje si brenda vendit ashtu edhe nga institucionet ndërkombëtare, por procesi i plotësimit të sistemit mbetet ende i papërfunduar, pasi largimet nga detyra nuk janë zëvendësuar plotësisht.

Sipas KLGJ, sistemi gjyqësor aktualisht ka 417 gjyqtarë aktivë, që përbëjnë vetëm 71 për qind të numrit të nevojshëm sipas standardeve.

Për të arritur nivelin e kërkuar, nevojiten edhe 111 gjyqtarë shtesë.

Raporti referon gjithashtu standardin europian, sipas të cilit duhet të ketë të paktën 21 gjyqtarë për 100 mijë banorë, ndërsa në Shqipëri ky tregues është aktualisht 17 gjyqtarë për 100 mijë banorë.

Në pjesën për disiplinën, KLGJ bën të ditur se Komisioni Disiplinor ka shqyrtuar tre procedura ndaj gjyqtarëve në mbledhjen plenare, si dhe ka nisur trajtimin e tetë procedurave të mbartura nga vitet e mëparshme.