Babai i ministres së Shtetit për Administratën Publike, Adea Pirdeni është aksidentuar dhe ka ndërruar jetë. Mësohet se aksidenti ka ndodhur rreth orës 12:00 të mesditës së sotme në rrugën ‘Bardhyl’ në Tiranë.
Nga informacionet paraprake Luan Pirdeni, rreth 87 vjeç ka qenë duke udhëtuar me biçikletë kur është përplasur me një motor. Nuk ka shumë informacion mbi aksidentin dhe shkaqet.
Specialistët e qarkullimit rrugor arrestuan shtetasin S. M., 31 vjeç, pasi në kryqëzimin e rrugës “Bardhyl” me rrugën “Kongresi i Manastirit”, duke drejtuar motomjetin, është përplasur me biçikletën me të cilën lëvizte shtetasi L. P., 87 vjeç.
Si pasojë e aksidentit, 87-vjeçari ka humbur jetën në spital. Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit. Ndërkohë socialistët kanë ndërprerë mbledhjen me dyer të mbyllura të këshillit të mandateve që ishte thirrur sot pasdite.







