Nga Afrim Ramadani
Historia e njerëzimit është përballje e vazhdueshme ndërmjet dy forcave: guximit dhe frikës. Njëra ngrit kombe, mbron dinjitet dhe hap rrugë të reja, ndërsa tjetra i nënshtron njerëzit, i hesht dhe i shndërron në puthadorë. Çdo epokë, çdo shtet dhe çdo familje ka njohur si njerëz të guximshëm, ashtu edhe frikacakë. Dhe pikërisht nga raporti ndërmjet tyre është përcaktuar fati i shoqërive.
Guximi, nuk është mungesë, përkundrazi, është aftësia për të vepruar drejt edhe kur ekziston frika. Njeriu i guximshëm nuk është ai që nuk dridhet, por ai që nuk dorëzohet. Ai flet kur të tjerët heshtin! Guximi mund të jetë fizik, moral, intelektual apo politik. I guximshëm është një ushtar që mbron popullin e tij, por po aq i guximshëm është edhe gazetari që zbulon të vërtetën, studenti që kundërshton padrejtësinë apo individi që nuk e shet vetveten për përfitime personale.
Frika, është ndjenjë që na paralajmëron për rrezikun dhe shpesh na mbron prej tij, por kur kjo shndërrohet në nënshtrim të përhershëm, atëherë lind puthadoria. Puthadori është ai që për interesa personale i nënshtrohet pushtetit, e lavdëron ate, hesht përballë padrejtësisë dhe është i gatshëm të shesë të vërtetën, moralin madje edhe kombin. Këta njerëz arsyetojnë“urtësinë”, “paanshmërinë” apo “realizmin”, por historia ka treguar të kundërtën, pikërisht nga heshtja e njerëzve të këtillë.
Guximi ka fuqinë të ndryshojë historinë. Ai sjell liri, përparim, dinjitet dhe vetëbesim shoqëror. Popujt që kanë pasur njerëz të guximshëm kanë mbijetuar edhe në periudhat më të errëta.
Historia njeh shumë figura që ndryshuan epoka përmes guximit të tyre. Nelson Mandela- kaloi dekada në burg, por nuk u përkul, Winston Churchil – refuzoi kapitullimin përballë nazizmit, Mahatma Gandhi – luftoi një perandori me forcën e bindjes morale.
Edhe trojet shqiptare njohin figura të mëdha trimërie si: Skënderbeun, Hasan Prishtinën, Isa Boletinin, Shoten dhe Azem Galicën, Ukshin Hotin, Adem Jasharin, Adem Demaçin,…,Rafi Halilin..
Por historia nuk është shkruar vetëm nga trimat, por edhe me njerëz që për pushtet, poste apo frikë tradhtuan popujt e tyre. Në vend të meritës është vendosur lojaliteti ndaj partisë, klanit apo shefit. Si pasojë e kësaj shumë të rinj humbin besimin se ndershmëria dhe guximi shpërblehen.
Paradoksi qëndron në ate kur njerëzit ankohen privatisht (në shtëpi, kafene, rrojtore, etj), por heshtin publikisht për padrejtësitë.
Megjithatë, shpresa qëndron pikërisht tek ata individë që refuzojnë të bëhen pjesë e kësaj kulture. Çdo mësues që nuk shet notën, gazetari që nuk shet të vërtetën, studenti që nuk hesht përballë padrejtësive dhe çdo qytetar që nuk përkulet para korrupsionit janë akte guximi që e mban gjallë shoqërinë.
Në fund, historia nuk i kujton gjatë puthadorët. Emrat e tyre treten bashkë me regjimet që u shërbyen, ndërsa njerëzit e guximshëm mbeten të pavdekshëm, janë ata që ndryshojnë epokat. Një komb nuk shkatërrohet kur ka varfëri apo probleme; por atëherë kur njerëzit e ndershëm frikësohen të flasin dhe kur puthadorët bëhen model suksesi.







