Ballina Sport Boksieri shqiptar mbron titullin botëror në “Wembley Arena”! Ja kë e gjunjëzon

Boksieri shqiptar mbron titullin botëror në “Wembley Arena”! Ja kë e gjunjëzon

138
0

Boksieri shqiptar, Jurgen Uldedaj, ka dëshmuar edhe një herë cilësitë në ring, duke mbrojtur me sukses titullin botëror në versionin IBO në arenën e famshme britanike “Wembley Arena” në Londër.

Pas një dueli të fortë prej 12 raundesh, Uldedaj triumfoi ndaj boksierit britanik Austine Nnamdi me vendim të gjyqtarëve, duke konfirmuar statusin e tij si kampion dhe një nga emrat më të fortë të boksit shqiptar në arenën ndërkombëtare.

Në një atmosferë elektrizuese në Londër, boksieri shqiptar luftoi me zemër, ku raundet e para folën në favor të tij, i cili u shfaq më dominues në ring.

Nga raundi i katërt, përballja u bë edhe më e fortë, me të dy boksierët që shkëmbyen goditje të shumta dhe nuk kursyen asgjë.

Edhe në raundin e pestë dhe të gjashtë, lufta vazhdoi me intensitet të lartë, ndërsa të dy rivalët treguan guxim dhe rezistencë të madhe.

Në raundin e shtatë, Uldedaj kaloi një moment të vështirë pasi pësoi disa goditje nga rivali britanik, por reagoi fuqishëm duke kundërsulmuar me disa goditje të forta

Raundi i tetë u karakterizua nga rivalitet i madh dhe ritëm i lartë, ku boksieri shqiptar pësoi disa goditje, por vazhdoi të qëndrojë i fortë në ring. Ndërkohë, në raundin e nëntë, britaniku Nnamdi u shfaq mjaft i rrezikshëm dhe tentoi të marrë kontrollin e meçit.

Në raundin e dhjetë, të dy boksierët u treguan më të kujdesshëm dhe taktizuan më shumë, duke ruajtur energjitë për momentet vendimtare.

Dy raundet e fundit sollën përsëri luftë të fortë në ring, me shkëmbime të shumta goditjesh dhe një Uldedaj që tregoi pjekuri deri në fund.

I lindur në Lezhë, Jurgen Uldedaj vazhdon të mbrojë me krenari ngjyrat kuqezi në arenën ndërkombëtare. Në karrierën e tij profesionale, ai ka zhvilluar 22 meçe, duke regjistruar vetëm një humbje, ndërsa tetë fitore i ka siguruar me nokaut.

Me këtë triumf në Londër, “tigri shqiptar” konfirmon edhe një herë dominimin e tij dhe mbetet mbret në versionin IBO.