Shqipëria është renditur mes vendeve me performancën më të dobët në botë për sistemin shëndetësor sipas “Health Care Index 2026” të Numbeo, të analizuar nga visual capitalist, duke u pozicionuar në vendin e tetë nga fundi në renditjen globale. Me një indeks prej 48.1 pikësh dhe shpenzime për shëndetësinë rreth 591 dollarë për frymë në vit gjatë 2023, Shqipëria renditet më keq se vende si Maqedonia e Veriut, Bosnja-Hercegovina, Serbia apo Rumania, ndërsa ka lënë pas, me diferencë të vogël Nigerinë, Egjiptin, Malin e Zi, Marokun, Irakun apo Bangladeshin.
Të dhënat tregojnë një kontrast të fortë mes nivelit të shpenzimeve dhe perceptimit të cilësisë së sistemit shëndetësor. Shqipëria shpenzon pothuajse dy herë më shumë për frymë sesa Bangladeshi, që rezulton me 53 dollarë për person, dhe dukshëm më shumë se Nigeria me 67 dollarë apo Egjipti me 141 dollarë, por megjithatë mbetet në grupin e vendeve me vlerësimet më të ulëta për cilësinë e kujdesit shëndetësor, infrastrukturën, stafin mjekësor, kohën e pritjes dhe kostot për pacientët.
Në rajon, diferencat janë të dukshme. Maqedonia e Veriut renditet me indeks 55, Bosnja-Hercegovina po ashtu me 55, Serbia me 52 dhe Rumania me 57 pikë, duke lënë pas Shqipërinë në vlerësimin e përgjithshëm të sistemit shëndetësor. Edhe Mali i Zi, megjithëse renditet mes vendeve me performancë të dobët, rezulton pak më poshtë Shqipërisë me indeks 47, por me shpenzime pothuajse dy herë më të larta, rreth 1.1 mijë dollarë për frymë.
Raporti i bazuar në indeksin e Numbeo për vitin 2026 analizon perceptimin publik mbi cilësinë e sistemeve shëndetësore, duke marrë në konsideratë cilësinë e trajtimit, infrastrukturën spitalore, profesionalizmin e stafit, aksesin, kohën e pritjes dhe kostot.
Në krye të renditjes globale qëndron Tajvani me 87.1 pikë, duke u vlerësuar si sistemi më i mirë shëndetësor në botë. Ajo që bie në sy është se Tajvani arrin këtë rezultat duke shpenzuar rreth 2.4 mijë dollarë për frymë në vit, shumë më pak se Shtetet e Bashkuara, të cilat shpenzojnë rreth 13.5 mijë dollarë për person, por renditen vetëm në vendin e 40-të.
Pas Tajvanit renditen Koreja e Jugut me 82.9 pikë, Holanda me 81.5 dhe Japonia me 80.1 pikë. Lista dominohet nga vendet aziatike dhe europiane, ku sistemet shëndetësore mbështeten te mbulimi i gjerë universal, kujdesi parandalues dhe eficienca administrative.
Një nga gjetjet më interesante të renditjes është se vendet me performancën më të mirë nuk janë domosdoshmërisht ato që shpenzojnë më shumë. Ekuadori renditet i gjashti në botë me vetëm 509 dollarë shpenzime për frymë, ndërsa Tajlanda renditet e teta me 327 dollarë për person, duke tejkaluar shumë ekonomi më të pasura.
Në anën tjetër, vendet me sistemet më të dobëta shëndetësore janë përqendruar kryesisht në zona të prekura nga konflikte, kriza ekonomike ose mungesë kronike investimesh. Siria renditet e fundit me 35 pikë, e ndjekur nga Venezuela, Bangladeshi dhe Iraku.
Rasti amerikan mbetet një nga paradokset më të mëdha të renditjes. Megjithëse SHBA-ja ka nivelin më të lartë të shpenzimeve shëndetësore në botë, me rreth 13.5 mijë dollarë për frymë në vit, ajo pozicionohet vetëm në vendin e 40-të. Sipas analizës, kostot e larta administrative, çmimet e barnave, mbulimi i fragmentuar i sigurimeve dhe pabarazitë në akses janë ndër faktorët që ndikojnë në këtë rezultat.
Në tërësi, renditja nxjerr në pah një prirje globale: niveli i lartë i shpenzimeve nuk garanton domosdoshmërisht një sistem më të mirë shëndetësor. Në shumë raste, efikasiteti, organizimi dhe aksesi i gjerë rezultojnë më të rëndësishëm sesa vetë shuma e parave të investuara në sistem. /ekofin.al







