Ballina Bota Shkon në 32 numri i viktimave nga tërmeti shkatërrues në Filipine

Shkon në 32 numri i viktimave nga tërmeti shkatërrues në Filipine

78
0

Ka shkuar në 32 numri i personave që kanë humbur jetën pasi një tërmet me magnitudë 7.8 goditi brigjet e ishullit Mindanao në jug të Filipineve, sipas autoriteteve.

Tërmeti ndodhi në orën 07:37 sipas kohës lokale të së hënës (23:37 GMT të së dielës), duke shkaktuar alarme për cunami në Filipine, Indonezi, Japoni dhe Australi. Disa prej këtyre paralajmërimeve u anuluan disa orë më vonë.

Video dhe fotografi të publikuara tregojnë shembje ndërtesash, përfshirë një restorant të zinxhirit të ushqimit të shpejtë Jollibee që u reduktua në rrënoja. Në disa zona janë regjistruar edhe rrëshqitje dheu.

Sipas autoriteteve, më shumë se 100 persona janë plagosur në disa provinca, pothuajse dy duzina rezultojnë ende të zhdukur, ndërsa rreth 10 mijë banorë janë evakuuar paraprakisht si masë sigurie.

Mindanao është ishulli i dytë më i madh i Filipineve, si për nga sipërfaqja ashtu edhe për nga popullsia, dhe ka rreth 26 milionë banorë.

Numri i viktimave ende duhet të verifikohet nga agjencia kombëtare për menaxhimin e fatkeqësive, e cila mbledh dhe konfirmon raportet nga burime të ndryshme lokale. Një përditësim zyrtar pritet të publikohet në ditët në vijim.

Autoritetet lokale në provincën bregdetare Sarangani, rreth 20 kilometra nga epiqendra e tërmetit, njoftuan se 17 persona kanë humbur jetën atje, shumë prej tyre si pasojë e një rrëshqitjeje dheu. Tërmeti shkaktoi ndërprerje të përkohshme të energjisë elektrike dhe rrjeteve të komunikimit në Sarangani, por shërbimet u rikthyen më vonë.

Në qytetin General Santos, më i afërti me epiqendrën, 10 persona humbën jetën, sipas Zyrës së Mbrojtjes Civile. Ndërkohë, 22 persona rezultojnë ende të zhdukur. General Santos, i njohur si kryeqyteti i peshkimit të tonit në Filipine, është gjithashtu vendlindja e kampionit botëror të boksit Manny Pacquiao, i cili më vonë u bë politikan.