Ballina Aktualitet Kryebashkiakja e Vlorës pezullon gjithçka, edhe lejet e Ramës

Kryebashkiakja e Vlorës pezullon gjithçka, edhe lejet e Ramës

100
0

Kryetarja e Bashkisë Vlorë, pak ditë më parë, ka nxjerrë një urdhër (nr. 813), sipas të cilit vendosen kufizime për qarkullimin e mjeteve të rënda dhe transportin rrugor të mallrave, si dhe disiplinimi i veprimtarisë së ndërtimit gjatë sezonit turistik.

Nenët që Kryetarja e Bashkisë ka lexuar me atë rast (sepse i citon në urdhër) janë nenet 8, 9, 23 dhe 64 të ligjit për turizmin. Kryetarja e Bashkisë citon në urdhër edhe të gjithë ligjin nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”. E ka lexuar të gjithin?

Asnjë nen i ligjit për vetëqeverisjen vendore dhe asnjë nen i ligjit për turizmin nuk i japin autoritet Kryebashkiakes së Vlorës, apo kujtdo tjetër, që të urdhërojë kufizim të transportit për ndonjë kategori mjetesh.

Asnjë nga nenet e ligjit për turizmin nuk autorizon asnjë kryetar bashkie të vendosë kufizime mbi transportin. Për asnjë lloj transporti, as të rëndë, as të lehtë, as mallrash, as njerëzish.

Asnjë dispozitë nuk autorizon ndonjë kryetar bashkie që të pezullojë apo “disiplinojë” veprimtarinë e ndërtimit gjatë ndonjë muaji të vitit.

Por, sipas Kryetares së Bashkisë së Vlorës, jo vetëm që kjo është e mundur, por paska diku në ndonjë ligj edhe të shkruar opsionin që përjashtimi nga urdhri për pezullim të jetës në Vlorë mund të bëhet me autorizim të vetë Kryetares.

Me pak fjalë, Kryetarja e Bashkisë, pasi ka pezulluar jetën e Vlorës, ka lënë një hapësirë që dikush mund të vazhdojë të jetojë me autorizim të saj.

Neni 9 i ligjit për turizmin, në titull, ka kompetencat e ministrit dhe zonja Kryetare nuk është ministre e fushës.

Neni 23 i ligjit për turizmin flet për krijimin e inventarit të të dhënave mbi burimet turistike.

Neni 64 i ligjit për turizmin flet për stacionet e plazhit dhe kompetencën mbi autorizimin e tyre. Por edhe këtu Kryetari i Bashkisë nuk ka asnjë rol.

Ka një nen të ligjit për turizmin që flet për Kryetarin e Bashkisë, që kjo e Vlorës duhet ta mësojë përmendësh. Është neni 19, që përcakton detyrat dhe përgjegjësitë në fushën e turizmit për njësitë e qeverisjes vendore.

Ky nen thotë:

“Njësitë e qeverisjes vendore, në zbatim të këtij ligji, kanë këto detyra dhe përgjegjësi:

a) të krijojnë inventarin e burimeve kryesore turistike të njësisë së qeverisjes vendore dhe inventarin e sipërmarrjeve turistike në nivel vendor;

b) të përcjellin, periodikisht, çdo 6 muaj, inventarët e përmendur në shkronjën ‘a’ të këtij neni pranë ministrit përgjegjës për turizmin, për krijimin e bazës së të dhënave në nivel kombëtar;

c) të sigurojnë infrastrukturën mbështetëse për veprimtaritë e biznesit të turizmit në nivel vendor, duke mundësuar respektimin e standardeve nga sipërmarrjet turistike;

ç) të kontribuojnë në zhvillimin e llojeve të ndryshme të turizmit në nivel vendor, si turizmi kulturor, agroturizmi etj., në bazë të burimeve turistike, duke luajtur rol aktiv në diversifikimin e produktit turistik, në bashkëpunim me të gjitha institucionet qendrore e vendore, si dhe grupet e interesit;

d) të sigurojnë informacion, si pjesë e sistemit të statistikave të turizmit, për ministrin përgjegjës për turizmin;

dh) të bashkëpunojnë për marrjen e masave për të siguruar shërbime të kujdesit shëndetësor parësor për vizitorët/turistët, brenda juridiksionit të njësisë së pushtetit vendor, duke zbatuar standardet e përcaktuara nga ministria përgjegjëse për turizmin dhe ajo e shëndetësisë;

e) të marrin masa për krijimin dhe ruajtjen e një mjedisi të shëndetshëm brenda juridiksionit të territorit të tyre, në përputhje me normat dhe në zbatim të rregulloreve higjieno-sanitare.”

Ku e ka lexuar Kryetarja e Bashkisë Vlorë të drejtën që të mund të pezullojë, për shembull, të gjitha ndërtimet, që pastaj të lëshojë autorizime për përjashtimet nga rregulli që ka shpikur po vetë?

Meqë e nxori urdhrin, duhet të pezullojë edhe pagesat e taksave për ato muaj që urdhri do të rrijë në fuqi. Të pezullojë edhe kontratat dhe marrëveshjet mbi detyrimet financiare mes palëve. Të pezullojë edhe kontratat e punës, sepse biznesi nuk ka pse të mbajë punëtorë ato tre muaj që u dashka pezulluar gjithçka, vetëm sepse doktoresha, kryetare e Bashkisë, paska parë një ëndërr vetëqeverisëse.

Si do t’i dëmshpërblejë bizneset Kryetarja e Bashkisë?

Për sqarim, “vetëqeverisje” nuk do të thotë që Kryetarja qeveris siç do vetë.

Subjektet që ndëshkohen nga ky urdhër kanë dy rrugë për të mbrojtur veten.

E para, t’i drejtohen gjykatës dhe të marrin mbi vete koston në para dhe humbje kohe.

Ose, t’i fusin mik Kryetares së Vlorës që t’i përjashtojë nga urdhri dhe të marrin mbi vete gjithë “ngarkesën” që duhet për ta bindur Kryetaren që t’i tolerojë të punojnë./vna