Si rezultat i intensifikimit të kontrolleve dhe punës operative, me objektiv identifikimin dhe ndalimin e shtetasve që përbëjnë rrezik për sigurinë publike, duke poseduar ose shitur armë zjarri, me qëllim kryerjen e ngjarjeve kriminale, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Komisariati i Policisë Shijak, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, finalizuan operacionin e koduar “Kalibri”.
Gjatë operacionit u arrestuan shtetasit:
-L. D., dhe A. M., të dy banues në Lezhë, të cilët u kapën duke lëvizur me automjet, në hyrje të qytetit të Durrësit, dyshohet për të shitur një armë zjarri (pistoletë) me 2 krehra dhe fishekë. Arma dhe municioni u gjetën në çantën e pasagjerit, shtetasit L. D., të cilit iu gjet dhe një sasi e vogël lënde e dyshuar narkotike Cannabis Sativa;
-D. T., pasi gjatë kontrolleve në banesë në fshatin Shtrazë, Shijak, iu gjetën 1 armë zjarri (kallashnikov), 1 granatë mbrojtëse (me ndezës të montuar), 1 krehër arme dhe qindra fishekë luftarak, që posedoheshin pa leje.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.







