Ralf Rangnik ka marrë përfundimisht vendimin dhe ka zyrtarizuar sot të ardhmen e tij. Ashtu siç ishte mësuar prej disa ditësh, trajneri i Austrisë nuk ka ndër mend të largohet nga drejtimi i saj për të punuar me Milanin apo në ndonjë klub tjetër në Itali.
Federata Austriake e Futbollit ka zyrtarizuar sot rinovimin e kontratës me trajnerin, duke e zgjatur atë deri në vitin 2028.
“Vendimi është marrë: trajneri Ralf Rangnik do të vazhdojë karrierën e tij të suksesshme me ekipin kombëtar austriak dhe do të mbetet pjesë e Federatës të paktën deri në Kampionatin Europian UEFA 2028.
Rinovimi i kontratës vjen pas disa muajsh diskutimesh intensive dhe të besueshme. Si Ralf Rangnik ashtu edhe Josef Proll kanë theksuar vazhdimisht gjatë kësaj periudhe se bashkëpunimi dhe komunikimi janë karakterizuar nga respekti i ndërsjellë, një mirëkuptim i qartë dhe vullneti për të vazhduar në mënyrë të qëndrueshme zhvillimin pozitiv të ekipit kombëtar. Bordi mbikëqyrës i Federatës votoi unanimisht në favor të rinovimit të kontratës së Ralf Rangnik”, shkruhej në njoftimin e Federatës Austriake që mbyllte kësisoj çdo diskutim merkatoje për të ardhmen e teknikut.







