Algjeria ka arritur një fitore jetike 2-1 me përmbysje kundër Jordanisë në ndeshjen e Grupit J të Kupës së Botës 2026, të zhvilluar në “San Francisco Bay Area Stadium”.
Ky rezultat eliminon zyrtarisht kombin aziatik, i cili merrte pjesë për herë të parë në këtë kompeticion.Ndeshja nisi me ritëm të lartë, ku algjeriani Amine Gouiri rrezikoi i pari, ndërsa jordaniasi Mousa Tamari iu përgjigj me një goditje nga distanca që u ndal nga Luca Zidane.
Edhe pse Algjeria po dominonte dhe po krijonte raste përmes Riyad Mahrez dhe Gouiri, ishte Jordania ajo që kaloi e para në avantazh rreth 10 minuta para përfundimit të pjesës së parë.
Pas një krosimi të Mahmoud Al Mardi, Nizar Al Rashdan u tregua i saktë duke dërguar topin në rrjetë.Në pjesën e dytë, “Desert Warriors” (Luftëtarët e Shkretëtirës) hynë në fushë me më shumë agresivitet për të shmangur eliminimin e parakohshëm.
Presioni i tyre dha rezultat pak para ndërprerjes së dytë për hidratim, kur Nadir Benbouali u hodh më lart se të gjithë për të barazuar shifrat me kokë pas një goditjeje këndi të ekzekutuar nga Mahrez.
Përmbysja u kompletua në minutat e fundit të kohës së rregullt. Pas një tjetër goditjeje këndi, Amine Gouiri shtyti topin në rrjetë, një gol që u konfirmua edhe pas rishikimit në sistemin VAR. Me këtë humbje, Jordania e mbyll aventurën e saj historike dhe ndeshjen e fundit do ta luajë sa për prestigj kundër Argjentinës së Lionel Messit.
Nga ana tjetër, Algjeria do të luajë një “finale” direkte kundër Austrisë për të përcaktuar se kush do të kualifikohet më tej së bashku me Albicelestet.







