Në Shqipëri po përshkallëzohen protestat kundër një projekti ndërtimi të familjes Trump: kundërshtarët e kompleksit luksoz të planifikuar në një zonë të mbrojtur natyrore u përplasën me policinë në kryeqytetin Tiranë. Protestuesit u përpoqën të bllokonin ndërtesën e Parlamentit dhe hodhën vezë dhe miell ndaj policëve, raportuan mediat shqiptare. Forcat e rendit përdorën automjete me ujë nën presion dhe sprej me piper për të shpërndarë turmën. U kryen arrestime dhe disa persona mbetën të plagosur.
Protesta ishte drejtuar kundër planit për ndërtimin në një pjesë të lagunës së Nartës, në deltën e lumit Vjosa, nga investitorë amerikanë. Projekti udhëhiqet nga një kompani e Jared Kushner, dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump. Në gjirin e Zvërnecit dhe në ishullin e Sazanit planifikohet ndërtimi i hoteleve luksoze, komplekseve me vila dhe objekteve rekreative.
Mbrojtësit e mjedisit druhen se ky projekt mund të dëmtojë në mënyrë të parikuperueshme ekosistemin e ndjeshëm të deltës së Vjosës në Adriatik. Aty ndodhen zona pushimi dhe shumimi për flamingot, çafkat dhe shumë lloje të tjera shpendësh. Për këtë arsye, prej më shumë se një muaji, mijëra njerëz protestojnë çdo mbrëmje në Tiranë. Mediat e kanë quajtur këtë lëvizje “Revolucioni i Flamingove”, ndërsa flamingot janë bërë simboli i saj.
Protesta e së enjtes u zhvillua për herë të parë gjatë ditës dhe kishte si synim bllokimin e Parlamentit. Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve ATA, duke cituar policinë, 18 persona u ndaluan përkohësisht. Gjithashtu, 15 policë dhe 4 protestues u dërguan në spital për shkak të lëndimeve.
Protestuesit kërkojnë gjithashtu dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Ata dyshojnë se këmbëngulja e tij për realizimin e projektit lidhet me korrupsionin. Politikani socialist, rreth dy vjet më parë, zbuti ligjin për zonat e mbrojtura, duke bërë të mundur që delta e Vjosës të hapet për turizmin luksoz.
Nga ana tjetër, Rama pretendon se ende nuk është dhënë leja e ndërtimit. Megjithatë, në fund të muajit maj, makineritë e ndërtimit u shfaqën në terrenin e parashikuar për projektin, gjë që shkaktoi valën e protestave që vazhdon edhe sot./ SPIEGEL







