Nga Andi Tepelena
2 Korrik 1990
Një datë që nuk i përket vetëm kalendarit. Një datë që i përket kujtesës sonë kombëtare.
Tridhjetë e gjashtë vjet më parë, shqiptarët shembën murin e parë të frikës. Pa armë. Pa pushtet. Vetëm me guximin e njerëzve që nuk pranonin më të jetonin të gjunjëzuar.
Ata kapërcyen muret e ambasadave, sepse regjimi ua kishte mbyllur të gjitha dyert e lirisë.
Sot jemi sërish në protestë. Jo sepse historia përsëritet njësoj, por sepse edhe një herë Shqipëria përballet me të njëjtën zgjedhje: të jetojë me frikë ose të jetojë me dinjitet. Duhet të rrëzojmë edhe një herë murin e frikës. Sepse çdo pushtet fillon të bjerë në ditën kur qytetarët pushojnë së pasuri frikë prej tij.
DEMOKRACIA E FASADËS
Në vitin 1990 shqiptarët nuk dolën në rrugë vetëm për të ndryshuar një qeveri. Dolën për të ndryshuar një sistem. Ata ëndërronin drejtësi. Liri. Barazi përpara ligjit.
Por çfarë ndodhi?
Regjimi u rrëzua, po fryma e tij fatkeqesisht mbijetoi.
Shqipëria mbeti i vetmi vend në Evropë që nuk hapi kurrë dosjet e komunizmit. Askush nuk u përgjigj për gjysmë shekulli krimesh, burgimesh dhe internimesh.
Në vend të një ndarjeje të qartë me të kaluarën, u ndërtua një demokraci fasadë. Një sistem ku ndryshuan emrat, por jo gjithmonë mënyra e qeverisjes.
Sot, pas tri dekadash, pyetja është e njëjtë:
A ndryshoi vërtet sistemi, apo vetëm administratorët e tij? Prandaj sot nuk protestojmë vetëm kundër një qeverie.
Ne protestojmë kundër një kaste politike që prej 36 vitesh riciklon pushtetin, riciklon privilegjet dhe riciklon zhgënjimin e shqiptarëve.
NGA NJË MILION BUNKERË TE NJË MILION KULLA
Çfarë na la pas diktatura? Na la një milion bunkerë. Beton për të mbrojtur një pushtet që kishte frikë nga populli i vet. Çfarë po na lë pas kjo kastë politike? Një milion kulla.
Edhe këto prej betoni. Edhe këto të ngritura mbi frikën, padrejtësinë dhe shpesh mbi pronat e qytetarëve.
Dje bunkerizim. Sot kullizim.
Forma ka ndryshuar. Mentaliteti jo.
Atëherë betoni përdorej për të izoluar Shqipërinë. Sot betoni përdoret për të zhdukur kujtesën, për të zëvendësuar qytetet me interesa dhe për ta kthyer zhvillimin në privilegj të pak njerëzve.
NGA IZOLIMI TE DËBIMI
Regjimi komunist i mbante shqiptarët të mbyllur brenda kufijve. Askush nuk mund të largohej.
Sot askush nuk i ndalon shqiptarët të largohen. Por gjithnjë e më pak shqiptare gjejnë arsye për të qëndruar.
Në vitin 1990 shqiptarët hynë në ambasada për të ikur nga regjimi. Sot nuk kanë më nevojë për ambasada. Ata largohen çdo ditë nga aeroportet, portet dhe kufijtë e vendit.
Atëherë na mohohej liria për të dalë. Sot shumëkujt po i mohohet arsyeja për të qëndruar.
Kjo është drama e kohës sonë. Një vend nuk zbrazet vetëm kur njerëzit largohen. Zbrazet kur humbin besimin se e ardhmja mund të ndërtohet këtu. Dhe pikërisht këtë besim kemi ardhur ta rimarrim.
MESAZHI I 2 KORRIKUT
2 Korriku nuk është vetëm kujtimi i një proteste por kujtimi i një populli që, në momentin më të errët, zgjodhi lirinë.
Sot nuk duam të jetojmë me nostalgjinë e asaj dite por t’i japim një vazhdim.
Sepse historia nuk kërkon të përsëritet. Historia kërkon të përmbushet. Ata që dolën në rrugë në vitin 1990 nuk sakrifikuan që Shqipëria të mbetej peng i një klase politike që ndryshon flamujt, por jo zakonet.
Nuk sakrifikuan që fëmijët e tyre të largoheshin masivisht nga vendi.
Nuk sakrifikuan që korrupsioni të bëhej sistem dhe padrejtësia të kthehej në normalitet.
Prandaj, nga sheshi i protestave më Korrik 2026, qytetarët japin një mesazh të qartë.
Durimi nuk është pafund.
Asnjë pushtet nuk është më i fortë se një popull që zgjohet.
Asnjë mur nuk është më i fortë se një shoqëri që humbet frikën.
Në vitin 1990 u shemb muri që na ndante nga bota.
Sot është koha të shembim murin që na ndan nga shteti ynë.
Shqipëria nuk është prona e askujt.
Ajo është shtëpia e qytetarëve të saj.
Dhe kur qytetarët vendosin ta marrin përsëri në dorë fatin e tyre, asnjë pushtet nuk mund t’i ndalë.







