Ballina Dossier Kartolina e fundit e një Shqipërie normale: Aleksandër Xhuvani, Musine Kokalari dhe...

Kartolina e fundit e një Shqipërie normale: Aleksandër Xhuvani, Musine Kokalari dhe ëndrra e dijes

79
0

Ka dokumente që vlejnë më shumë se një arkiv i tërë. Një kartolinë e vogël, e shkruar me dorë më 11 nëntor 1940 nga Aleksandër Xhuvani për Musine Kokalarin, është një prej tyre.

Në pak rreshta, gjuhëtari i madh i shkruan me ngrohtësi ish-studentes së tij në Romë. E njofton se i ka dërguar një vëllim të “Teodorit” dhe i kërkon një ndihmë fare të thjeshtë: të gjejë në bibliotekat e Romës veprën e albanologut Gustav Meyer, sepse nuk di nëse mund ta sigurojë përmes librarive. Në fund, si çdo mësues që shkruan me dashuri për nxënësen e vet, e mbyll me fjalët: “Me shëndet. Të fala. A. Xhuvani.”

Është një korrespondencë e zakonshme vetëm në pamje të parë. Në të vërtetë, ajo flet për një Shqipëri tjetër. Për një kohë kur profesorët u besonin studentëve më të mirë një mision shkencor; kur Musine Kokalari nuk ishte ende “armikja e popullit”, por një e re që studionte në Romë dhe shihej si shpresë për kulturën shqiptare.

Edhe kartolina ka simbolikën e saj. Në anën e përparme shfaqet një burim karakteristik i maleve shqiptare dhe, mbi pullën postare, portreti i Skënderbeut. Sikur vetë kartolina të bashkonte tri shtylla të identitetit shqiptar: natyrën, historinë dhe dijen.

Ironia e historisë është e dhimbshme. Vetëm pak vite më vonë, ajo vajzë të cilës Aleksandër Xhuvani i kërkonte ndihmë për kërkime shkencore do të përfundonte në bankën e të akuzuarve, më pas në burg dhe internim, ndërsa një pjesë e elitës intelektuale shqiptare do të heshtte ose do të zhdukej bashkë me të.

Kjo kartolinë nuk është thjesht një kujtim filatelik. Është dëshmia e një Shqipërie që mund të kishte qenë ndryshe. Një Shqipëri ku një profesor i madh dhe një studente e talentuar komunikonin për libra, kërkime dhe gjuhën shqipe, jo për dosje hetimore, procese politike dhe internime.

Ndoshta, në fund, vlera më e madhe e kësaj kartoline nuk është ajo që thuhet në disa rreshta me bojë. Është ajo që historia na detyron të lexojmë mes rreshtave./vna