Një zjarr i madh pranë Zonës 51, objektit shumë sekret të Forcave Ajrore të Shteteve të Bashkuara në Nevada, vijon të përhapet, ndërsa autoritetet raportojnë se deri tani është vënë nën kontroll vetëm rreth 7% e tij.
Sipas raportimeve, zjarri është shkaktuar nga një goditje rrufeje dhe ka vijuar për gati një javë në zonën e njohur si Poligoni i Testimit dhe Trajnimit në Nevada (NTTR), një hapësirë ushtarake e mbyllur për publikun.
Zjarri është favorizuar nga kushtet e vështira atmosferike, përfshirë temperaturat e larta, erërat e thata dhe terrenin e ashpër malor. Flakët kanë përfshirë tashmë një sipërfaqe prej rreth 55 mijë hektarësh.
Autoritetet kanë vendosur një paralajmërim për temperatura ekstreme, i cili pritet të jetë në fuqi të paktën deri të dielën, ndërsa parashikimet nuk tregojnë reshje në ditët e ardhshme. Pavarësisht përmasave të zjarrit, deri tani nuk raportohet rrezik për banesa apo hapësira publike. Megjithatë, në qytetin e vogël Rachel është lëshuar një njoftim për ndikimin e tymit.
Zona 51 konsiderohet një nga instalimet më të mbrojtura të ushtrisë amerikane. Objekti, i krijuar gjatë Luftës së Ftohtë për testimin dhe zhvillimin e avionëve ushtarakë, ruhet me masa të rrepta sigurie, përfshirë mbikëqyrje elektronike, tabela paralajmëruese dhe patrullime të armatosura.
Misteri që ka rrethuar prej dekadash këtë bazë ka nxitur edhe teori të shumta konspirative, veçanërisht pretendimet se aty mbahen prova për ekzistencën e alienëve dhe objekteve fluturuese të paidentifikuara.







