Ballina Aktualitet Kur pushteti dhe pasuria bëhen më të forta se ligji: Një pyetje...

Kur pushteti dhe pasuria bëhen më të forta se ligji: Një pyetje për Besfort Lamallarin dhe Skënder Hitajn

75
0

Një jaht nga i cili, sipas Policisë së Shtetit, dyshohet se u qëllua me armë zjarri pranë plazhit të Palasës. Pamjet bëjnë xhiron e rrjeteve sociale. Pushuesit shohin një skenë që nuk duhet të ndodhë kurrë në kulmin e sezonit turistik.

Pastaj vjen pjesa edhe më tronditëse.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, jahti nuk ndalet. Për rreth dy orë i shmanget forcave të rendit, ndërsa në ndjekje angazhohen Policia Kufitare, Njësia Policore Detare, Delta Forca, Komisariati i Himarës dhe Forca Kombëtare e Sigurisë.

Kur më në fund ndalohet, në bord ndodhet edhe Bruno Çela, djali i pronarit të kompanisë “Brunes” dhe dhëndri i Tom Doshit, së bashku me tre persona të tjerë. Shoqërohen, merren në pyetje, kontrollohen dhe… kaq. Sot janë sërish të lirë.

Këtu nuk është më çështja nëse u gjet apo jo arma. Nuk është më as çështja se kush qëlloi. Këtu është çështja e autoritetit të shtetit.

Si është e mundur që një mjet lundrues, nga i cili dyshohet se janë kryer të shtëna me armë pranë një plazhi, t’i shmanget policisë për dy orë dhe në fund historia të mbyllet me disa shoqërime dhe deklarime?

Dhe kur mes personave të shoqëruar është djali i një prej biznesmenëve më të fuqishëm në vend dhe dhëndri i një figure politike të njohur, është detyrim i shtetit të tregojë, me veprime dhe jo me deklarata, se ligji është i barabartë për të gjithë. Sepse në të kundërtën krijohet një perceptim shkatërrues: se për disa njerëz ekziston një standard tjetër.

Zoti Besfort Lamallari, zoti Skënder Hitaj, ky është shteti që drejtoni?

Çfarë duhet të ndodhë më shumë? A duhet që herën tjetër plumbat të mos shkojnë në ajër, por të godasin një pushues? A duhet të ketë një viktimë që shteti të tregojë se është më i fortë se kushdo që sfidon ligjin?

Sepse sot mesazhi që ka marrë opinioni publik është i thjeshtë: edhe kur dyshohet se qëllon me armë pranë një plazhi dhe i shmangesh policisë për dy orë, në fund mund të largohesh i lirë.

Dhe ky është një mesazh që nuk turpëron vetëm Policinë e Shtetit. Turpëron vetë shtetin./vna