Ballina Politika ‘Kumbaro po bllokon investimet’/ Malaj: Rama sulm të mirëorganizuar ndaj Memaliajt, protestat...

‘Kumbaro po bllokon investimet’/ Malaj: Rama sulm të mirëorganizuar ndaj Memaliajt, protestat e vetmja rrugë

69
0

Në një reagim në rrjetet sociale, Malaj shprehet se Kryeministri dhe grupi i Reformës Administrativo-Territoriale po synojnë shkrirjen e Bashkisë Memaliaj. Ai akuzon gjithashtu ministren Mirela Kumbaro për bllokim të investimeve, ndërsa thotë se kjo frymë është përcjellë edhe në Këshillin Bashkiak, duke penguar punën dhe zhvillimin e bashkisë.

Malaj shprehet se, ndryshe nga kryetarët e bashkive të tjera që janë propozuar për t’u shkrirë, ai nuk është thirrur në takimin e zhvilluar me Kryeministrin për të paraqitur argumentet dhe për të mbrojtur interesat e Memaliajt.

“Si ta kuptojmë këtë? E kanë vendosur? Do ta shkrijnë Memaliajn?”, shkruan Malaj, duke shtuar se po ndodh ajo që ai kishte paralajmëruar më herët, sipas tij, “vendos forca e kartonit”.

Në fund, kryebashkiaku u ka bërë thirrje qytetarëve të Memaliajt të dalin në protestë, duke njoftuar tubimin për nesër në orën 20:00 në Sheshin “Minatori”.

Postimi i plotë:

Të dashur qytetarë,

Duket sikur ka një sulm të mirëorganizuar ndaj Bashkisë Memaliaj.

Kryeministri, së bashku me grupin e Reformës Administrativo-Territoriale, duket se po synojnë shkrirjen e Bashkisë Memaliaj.

Mirela Kumbaro po bllokon të gjitha investimet për Bashkinë Memaliaj, duke vendosur veton ndaj ministrive dhe institucioneve. Kjo frymë, sipas nesh, është përcjellë edhe te Këshilli Bashkiak, me qëllim pengimin e investimeve dhe bllokimin e punës së Bashkisë.

Sot, Kryeministri ka thirrur në takim kryetarët e bashkive që janë propozuar për t’u shkrirë, për të diskutuar dhe dëgjuar arsyet dhe argumentet e tyre. Kryetari i Bashkisë Memaliaj nuk është njoftuar për të dhënë argumentet, për t’u dëgjuar dhe për të mbrojtur interesat e Memaliajt.

Si ta kuptojmë këtë? E kanë vendosur? Do ta shkrijnë Memaliajn?

Po ndodh ajo që unë paralajmërova në takimin e Gjirokastrës: vendos forca e kartonit!

Meqenëse ata nuk duan të na dëgjojnë, e vetmja rrugë që na mbetet janë protestat.

Ndaj ju bëj thirrje nesër, në orën 20:00, të gjithëve të jemi në mbështetje të protestuesve, në Sheshin “Minatori”, në qendër të qytetit.

T’i dalim zot Memaliajt!

MEMALIAJ – BASHKI MË VETE!