Kjo është 31 vjeçarja turke e cila së bashku me një tjetër shtetas turk ndihmuan të akuzuarin si autor të vrasjes së portugezit Miguel Mendes, Sokrat Vatën, të largohej nga Ksamili. Ka qenë vetë Taulant Balla i cili publikoi një tjetër video të momentit të aksionit të policisë, duke nxjerrë zbuluar dhe fytyrën e gruas turke e cila ka qenë drejtuese e mjetit. Mesa duket Balla i shikon i pari filmimet e policise per ti redaktuar kur duhet.
Makina ku ata po udhëtonin u ndalua në Levan të Fierit nga grupet e kontrollit që ishin ngritur në pikat kyçe të akseve kryesore të vendit menjëherë pas vrasjes së ndodhur rreth orës 05:15 në shezlongët e plazhit, para lokalit ‘Principotes’ në zonën bregdetare të Ksamilit. Arrestimi i Sokrat Vatës u bë 5 orë pas krimit të rëndë.
Burimet bëjnë me dije se dy shtetasit turq, gruaja 31 vjeçare, dhe pasagjeri, po shtetas turk 38 vjeç pritet të arrestohen pasi ndihmuan të largohej nga vendngjarja autorin e krimit. Jo vetëm kaq. Policia po heton rolin e çiftit turk që drejtonte mjetin ku ishte fshehur autori vrasjes, pasi ka dyshimet se Sokrat Vata punonte edhe si truprojë e shtetasit turk.
Deri tani mësohet se 38 persona janë shoqëruar nga Policia e Sarandës për t’u marrë në pyetje. Moisid Matushaj, 24 vjeç, banues në Gjirokastër, me detyrë Ndihmës Specialist i Hetimit të Krimit në Drejtorinë Vendore të Kufirit Gjirokastër, është ndaluar nën dyshimet se ka ndihmuar 29-vjeçarin Sokrat Vata, autorin e vrasjes së 20-vjecarit portugez sot në Ksamil.
Hetimet e policisë kanë zbuluar se Matushaj punonte si truprojë e kompanisë “Elite Security” bashkë me Sokrat Vatën tek lokali “Principote” dhe dyshohet se e ka ndihmuar atë që të largohej nga vendi i ngjarjes. Ndërkohë mësohet se është shpallur në kërkim edhe shtetasi Bekim Bulica, 36-vjec i cili nga hetimet rezulton se ndodhej në vendin e ngjarjes dhe më pas është larguar drejt Tiranës për t’iu shmangur hetimit.







