Producenti i njohur i filmave francez Nicolas Altmayer dhe partnerja e tij, drejtoresha e marrëdhënieve me publikun në Dior, Mathilde Favier, humbën jetën në një aksident automobilistik në Francë, sipas autoriteteve lokale.
Çifti po udhëtonte në departamentin Deux-Sèvres, në perëndim të Francës, kur automjeti i tyre u përplas me një kamion që po vinte nga drejtimi i kundërt, gjatë një tentative për parakalim, bëri të ditur zëvendësprokurori i qytetit Niort, Nicolas Leclainche.
Altmayer, 61 vjeç, ishte një producent i njohur i kinemasë franceze, i cili qëndronte pas filmave si “In the House”, serisë “OSS 117” dhe “Young & Beautiful”.
Favier, 57 vjeçe, drejtonte ekipin e marrëdhënieve me publikun në Dior. Kompania vlerësoi kontributin e saj si “të jashtëzakonshëm”, duke theksuar se ajo ndihmoi në forcimin e reputacionit të Christian Dior Couture përmes përkushtimit dhe elegancës së saj.
Pas lajmit tragjik, drejtori ekzekutiv i LVMH, Bernard Arnault, deklaroi se ishte “thellësisht i tronditur” nga humbja e papritur e Mathilde Favier.
“Ajo i kushtoi shumë vite pasionin, energjinë dhe talentin e saj shtëpisë Dior. Ngushëllimet e mia më të sinqerta shkojnë për familjen dhe të afërmit e saj”, tha Arnault.
Homazhe për Nicolas Altmayer kanë ardhur nga e gjithë industria e filmit dhe më gjerë.
Ministrja franceze e Kulturës, Catherine Pégard, e cilësoi Altmayer si një “producent me një sy të stërvitur”, i cili “përshkoi tre dekada të kinemasë franceze, duke lënë vazhdimisht gjurmën e tij”.
“Vdekja e tyre ka hedhur një hije mbi dy botë, të cilat – njëra përmes historive që krijon dhe tjetra përmes modeleve që dizajnon – mbartin së bashku ndikimin kulturor të Francës në mbarë botën”, u shpreh ajo, informon euronews.







