Ballina Kulturë Eksperimentet e CIA-s me njerëzit për kontrollin e mendjes

Eksperimentet e CIA-s me njerëzit për kontrollin e mendjes

33
0

Me 10 prill 1953, Allen Dallesi, drejtori i sapoemëruar i CIA-s, mbajti një fjalim para një grupi ish-studentësh të Universitetit e Princeton-it. Ishte një periudhë tensioni të lartë ndërkombëtar: Lufta e Koresë po i afrohej fundit dhe The New York Times sapo kishte publikuar një artikull tronditës, sipas të cilit robërit amerikanë të luftës që po ktheheshin nga Koreja mund të ishin “shndërruar” nga “larësit komunistë të trurit”. Disa ushtarë amerikanë po rrëfenin se kishin kryer krime lufte. Të tjerë thuhej se ishin manipuluar aq shumë sa refuzonin të ktheheshin në Shtetet e Bashkuara.

Dallesi sapo ishte bërë drejtori i parë civil i një agjencie që po zgjerohej me shpejtësi dhe fjalimi i tij dha një ide të hershme për prioritetet e tij. “Vitet e fundit jemi mësuar të dëgjojmë shumë për betejën për mendjet e njerëzve”, u tha ai të pranishmëve. Ai i përshkroi “teknikat sovjetike të shtrembërimit të mendjes” si efektive, por të neveritshme, duke iu referuar robërve të kthyer si hije të asaj që kishin qenë më parë. A po përdornin sovjetikët agjentë kimikë? Hipnozë? “Ne në Perëndim”, pranoi ai, “jemi disi të pafavorizuar në luftën për mendjet.” Dallesi këmbëngulte se eksperimentet pa pëlqim, edhe kur kryheshin mbi armiqtë, binin ndesh me vlerat amerikane. Madje, sipas tij, ato duhej të binin ndesh edhe me vlerat njerëzore.

Frika nga lavazhi i trurit e tmerronte dhe njëkohësisht e magjepste publikun amerikan gjatë gjithë viteve 1950. Tituj si “Të këqija të reja zbulohen në lavazhin e trurit” sillnin rrëfime sensacionale për teknika të kontrollit të mendjes, të cilave askush nuk mund t’u rezistonte plotësisht. Paranoja u përhap edhe në kulturën popullore, libra si The Manchurian Candidate luanin me idenë e shkencëtarëve të çmendur dhe komploteve të mëdha politike. Kjo ide u ofronte gjithashtu shumë amerikanëve një shpjegim qetësues për ngritjen e shpejtë të komunizmit: sovjetikët, sipas kësaj logjike, u kishin bërë lavazh truri njerëzve të tyre. Liria amerikane e mendjes kundrejt kontrollit sovjetik të saj u bë një vijë ndarëse po aq e dukshme sa Perdja e Hekurt.

MK-Ultra

Vetëm tri ditë pas fjalimit të tij ku dënoi taktikat sovjetike, Dallesi miratoi MK-Ultra-n, një program tepër sekret të CIA-s për “përdorimin e fshehtë të materialeve biologjike dhe kimike”. Vlerat amerikane ishin një argument i mirë në retorikë, por Dallesi kishte plane shumë më të mëdha.

Eksperimentet e MK-Ultra-s përqendroheshin te ndryshimi i sjelljes përmes terapisë me elektroshok, hipnozës, poligrafëve, rrezatimit dhe një sërë drogash e substancash kimike. Subjektet e testimit varionin nga vullnetarë që pranonin me dëshirë deri te njerëz që nuk kishin fare dijeni se po përfshiheshin në një program të gjerë kërkimor për mbrojtjen kombëtare, djem me aftësi të kufizuara intelektuale në shkolla shtetërore, ushtarë amerikanë dhe pacientë të cilësuar si “psikopatë seksualë” në spitale shtetërore. CIA i konsideronte të dobishëm të burgosurit, pasi ata pranonin në këmbim të më shumë kohës për argëtim ose uljes së dënimit.

ImageWhitey Bulger, një bos i krimit të organizuar, shkroi për përvojën e tij si i burgosur dhe subjekt testimi në vitin 1957, në një burg të Atlantës. “Tetë të dënuar në gjendje paniku dhe paranoje. Humbje totale e oreksit. Halucinacione. Dhoma ndryshonte formë. Orë të tëra paranoje dhe ndjesi dhune. Përjetuam periudha të tmerrshme, si makthe të gjalla, madje edhe gjak që dilte nga muret. Djem që shndërroheshin në skelete para syve të mi.” Bulger pretendonte se i kishin injektuar LSD.

Dietilamidi i acidit lisergjik ishte bërë një nga interesat kryesore të CIA-s. Në fund të viteve 1940, agjencia mori raporte se Bashkimi Sovjetik kishte ndërmarrë përpjekje intensive për prodhimin e LSD-së dhe kishte tentuar të blinte të gjithë furnizimin botëror. Një oficer i CIA-s e përshkroi agjencinë si “fjalë për fjalë të tmerruar” nga programi sovjetik. “[Kjo] ishte e vetmja substancë që kishim arritur të gjenim dhe që kishte vërtet potencial për mundësi fantastike nëse përdorej në mënyrë të gabuar”, dëshmoi ai.

Me MK-Ultra-n, interesi i qeverisë për LSD-në kaloi nga mbrojtës në ofensiv. Zyrtarët e agjencisë vunë në dukje se ajo mund të ishte e dobishme për të fituar “kontrollin mbi trupat, pavarësisht nëse ishin të gatshëm apo jo”. CIA parashikonte përdorime që varionin nga nxjerrja e njerëzve nga Europa në rast të një sulmi sovjetik deri te mundësia e vrasjes së udhëheqësve armiq. Me 18 nëntor 1953, një grup prej dhjetë shkencëtarësh u mblodh në një kabinë në pyjet e Merilendit dhe ra dakord se “një eksperiment me një subjekt që nuk e dinte se po testohej do të ishte i dëshirueshëm”.

ImageCIA ishte plotësisht e vetëdijshme për reagimin e publikut nëse MK-Ultra do të zbulohej. “Duhet të merren masa paraprake jo vetëm për t’i mbrojtur operacionet nga zbulimi prej forcave armike, por edhe për t’ua fshehur këto veprimtari në përgjithësi publikut amerikan”, shkroi inspektori i përgjithshëm i CIA-s në vitin 1957. “Fakti që agjencia po angazhohet në veprimtari joetike dhe të paligjshme do të kishte pasoja serioze në qarqet politike dhe diplomatike.”

Operacioni Midnight Climax

Eksperimentet fillestare të CIA-s me LSD-në ishin relativisht të thjeshta, edhe pse tronditëse për nga mungesa e etikës, u jepej droga individëve të caktuar, kërkoheshin vullnetarë kur ishte e mundur dhe, ndonjëherë, substanca futej fshehurazi në pijet e punonjësve të tjerë të CIA-s. Me kalimin e kohës, eksperimentet u bënë më të ndërlikuara. Projekti më famëkeq ishte Operacioni Midnight Climax.

Në vitin 1955, në një shtëpi në rrugën Chestnut në San Francisko, CIA nisi të rregullonte një dhomë gjumi. Operacionin e mbikëqyrte George White, një veteran i Byrosë Federale të Narkotikëve. Ai vendosi në mure fotografi të valltareve franceze të kankanit, mbuloi dritaret me perde të kuqe dhe vendosi postera të Toulouse-Lautrec-ut në korniza me paspartu të zeza prej mëndafshi. Më pas punësoi një student inxhinierie për të instaluar pajisje përgjimi dhe një pasqyrë dykahëshe.

ImageWhite ulej pas pasqyrës, me një martini në dorë, dhe priste. Punonjëset e seksit joshin burra që nuk dyshonin për asgjë drejt dhomës së gjumit, ku atyre u jepej LSD dhe më pas vëzhgohej sjellja e tyre. Në këmbim, gratë merrnin para dhe premtimin e White-it se do të ndërhynte në rast se ato përballeshin sërish me probleme me autoritetet.

Edhe pse në dukje eksperimenti kishte të bënte me efektet e LSD-së, interesi i White-it u zhvendos drejt vëzhgimeve të tjera, veçanërisht seksit. Zyrtarët e agjencisë nisën të pyesnin se si mund të trajnoheshin prostitutat, si i ruanin sekretet dhe në cilin moment gjatë një marrëdhënieje seksuale mund të merreshin më mirë informacione nga një burim. Ata arritën në përfundimin se momenti më i përshtatshëm ishte menjëherë pas seksit. Megjithatë, një pjesë e madhe e përfshirjes së White-it dukej se nxitej thjesht nga vojerizmi. “Punova me gjithë shpirt në këto vreshta, sepse ishte argëtuese, argëtuese, argëtuese”, tha ai më vonë. “Ku tjetër mund të shtrihej një djalë i shëndetshëm amerikan, të vriste, mashtronte, vidhte, përdhunonte e plaçkiste, me miratimin dhe bekimin e të Plotfuqishmit?”

Fundi i MK-Ultra-s

ImageEksperimentet e CIA-s me LSD-në vazhduan deri në vitin 1963, kur një punonjës i stafit të inspektorit të përgjithshëm zbuloi “administrimin e fshehtë te subjekte njerëzore të pavullnetshme, që nuk kishin dhënë pëlqimin” dhe këmbënguli që programi të përfundonte.

Në vitin 1977, senatori Edward Kennedy mbikëqyri seancat dëgjimore të Kongresit për hetimin e MK-Ultra-s. Seancat zbuluan detaje shqetësuese, veçanërisht lidhur me vdekjen në vitin 1953 të doktor Frank Olsonit, një shkencëtar i ushtrisë që ra nga dritarja e një hoteli disa ditë pasi, pa e ditur, kishte pirë një pije të përzier me LSD. Por Kongresi hasi vazhdimisht pengesa: punonjësit e CIA-s pretendonin se nuk mbanin mend detaje për programet, madje as numrin e njerëzve të përfshirë.

ImageEdhe shqyrtimi i dokumenteve paraqiste probleme. Në vitin 1973, ndërsa hetimet po shtoheshin, drejtori i MK-Ultra-s u kishte thënë punonjësve se “do të ishte ide e mirë që dosjet të shkatërroheshin”. Duke përmendur shqetësime të paqarta për privatësinë e pjesëmarrësve dhe “sikletin” që mund të shkaktonin, zyrtarët që kishin hartuar MK-Ultra-n shkatërruan gjurmët në letër të një prej operacioneve më të paligjshme të Shteteve të Bashkuara. Një program i lindur në fshehtësi arriti t’i mbante përgjithmonë të fshehta shumë prej sekreteve të tij.