Këngëtarja e njohur kanadeze, Celine Dion, 58-vjeçare, ka dhënë një përditësim të rëndësishëm për gjendjen e saj shëndetësore, ndërsa po përgatitet për rikthimin në skenë pas një periudhe të gjatë përballjeje me sindromën e personit të ngurtë, një çrregullim i rrallë neurologjik autoimun.
Në një intervistë të fundit për Harper’s Bazaar, Dion tregoi se po ndjek një program intensiv rehabilitimi, i cili përfshin medikamente të reja, fizioterapi, terapi vokale dhe imunoterapi. Për të rikthyer forcën fizike, ajo po zhvillon gjithashtu seanca 90-minutëshe Pilatesi dhe ka nisur edhe klasa baleti.
Ky përgatitje vjen në prag të rikthimit të saj në skenë. Dion do të nisë në shtator një seri koncertesh në Paris, ndërsa për shkak të kërkesës së madhe janë shtuar edhe data të tjera për majin e vitit 2027.
“Ka kaluar kaq shumë kohë, do të doja t’u ofroja diçka për t’u treguar se sa shumë më kanë munguar”, ka thënë Dion, duke shprehur dëshirën për t’u rikthyer para fansave të saj.
Dion u diagnostikua zyrtarisht me sindromën e personit të ngurtë në vitin 2022, ndërsa ka treguar se simptomat e para i kishte përjetuar për rreth 17 vjet. Gjendja e saj ka ndikuar rëndë në lëvizje dhe në aftësinë për të kënduar.
Në vitin 2024, Fondacioni Celine Dion dhuroi 2 milionë dollarë për krijimin e një katedre kërkimore në neurologjinë autoimune në Universitetin e Kolorados, me synim avancimin e kërkimeve për çrregullimet neurologjike autoimune, përfshirë sindromën e personit të ngurtë.







