Ballina Kulturë Muzeu i Nju-Jorkut ekspozon fragmentin më të vjetër të ‘Odisesë’ së Homerit

Muzeu i Nju-Jorkut ekspozon fragmentin më të vjetër të ‘Odisesë’ së Homerit

63
0

Njerëzit e kanë dashur poemën e Homerit përmes mijëvjeçarëve falë “temave të saj të përjetshme të trimërisë, besnikërisë, këmbënguljes dhe zgjuarsisë”, thotë muzeu.

“Që nga piktorët e vazove në Greqinë dhe Romën e lashtë e deri te regjisorët bashkëkohorë, si Christopher Nolan, artistët e kanë ritreguar vazhdimisht ‘Odisenë’ në forma të ndryshme.”

“Piktura, qeramika dhe statuja të panumërta lidhen me udhëtimin dhjetëvjeçar të Odiseut drejt shtëpisë, në Itakë, ku ai sundonte si mbret përkrah gruas së tij, Penelopës”, vëren Met-i, duke u ofruar vizitorëve një seri objektesh nga koleksioni i tij që e sjellin në jetë poemën epike.

Fragmenti i papirusit i ekspozuar daton nga rreth viti 285 deri në vitin 250 p.e.s. dhe konsiderohet fragmenti më i hershëm i shkruar i “Odisesë” që është zbuluar.

“Ky fragment është shkruar në mënyrë të mrekullueshme duke përdorur një kombinim qymyri dhe uji përmes një stili mbi papirus, një nga materialet më të përdorura për shkrim në lashtësi dhe përmban tri vargje që nuk gjenden në tekstin standard të ditëve të sotme”, thotë muzeu.

“Ndërsa historia e ‘Odisesë’ është paraqitur në shumë mënyra gjatë shekujve, një aspekt thelbësor, por shpesh i anashkaluar, është se ajo fillimisht recitohej nga rapsodë gjatë interpretimeve gojore”, vëren Met-i. “Si e tillë, ekzistonin shumë versione të ndryshme të poemës epike.”

“Njësoj si luftëtari grek, ky objekt na kujton se edhe rrëfimi i ‘Odisesë’ ka përshkuar udhëtimin e tij të veçantë nëpër histori.”

Fragmenti i librit, me përmasa pak më të vogla se 20 centimetra, u gërmua në vitin 1902 në nekropolin e el-Hibes në Egjipt dhe ra në zotërim të muzeut i themeluar në vitin 1870 në vitin 1909, si dhuratë nga Egypt Exploration Fund.

Koleksioni më i rëndësishëm i teksteve homerike në botën helenistike ndodhej në Bibliotekën e Aleksandrisë në Egjipt, biblioteka e parë gjithëpërfshirëse publike në histori, thotë muzeu i Nju-Jorkut.

Përshtatja rekordthyese në ekran

Krahas “Iliadës”, një tjetër poemë epike që daton nga Greqia e Lashtë, “Odisea” renditet ndër tekstet më të vjetra dhe më të rëndësishme të letërsisë botërore.

Dy poemat epike që i atribuohen Homerit datojnë nga shekulli VIII p.e.s. dhe rrëfejnë për Epokën e Bronzit të Vonë – një periudhë që shtrihet shumë shekuj më herët duke përdorur materiale të përcjella kryesisht përmes traditës gojore.

Sot, përshtatja filmike “Odisea” po thyen rekorde për sa i përket numrit të shikuesve, ndërsa njerëzit mbushin kinematë për të parë poemën epike të Homerit në ekranin e madh.

Aktori amerikan Matt Damon luan heroin grek Odise, në filmin e ri të Christopher Nolan. Filmi përshkruan udhëtimin e tij, që zgjati me vite, drejt shtëpisë pas Luftës së Trojës, një periudhë e shënuar nga betejat, stuhitë dhe përbindëshat mitikë.