Ballina Politika Rimarrja në dorë e Tiranës, tubi i shkurtër i oksigjenit që nuk...

Rimarrja në dorë e Tiranës, tubi i shkurtër i oksigjenit që nuk e mban Veliajn “gjallë” përtej pranverës

82
0

Drejtimi i Bashkisë së Tiranës nga qelia e paraburgimit është shfaqja më paradoksale e pushtetit lokal në Shqipëri. Pas më shumë se një viti në izolim, Erion Veliaj ka rimarrë de facto frenat e institucionit më të madh vendor në vend, duke vulosur e firmosur vendime me një bekim që nga kryeministri Edi Rama vjen gjithçka përveçse i heshtur.

Kjo rikthim-lëvizje u shoqërua menjëherë me efekte underground: një spastrim i pamëshirshëm i njerëzve të lidhur me Ogerta Manastirliun dhe Belinda Ballukun brenda strukturave të bashkisë, duke fshirë çdo influencë rivale që kërkoi të zinte terren gjatë mungesës së tij.

Militantët dhe enturazhi personal i Veliajt e kanë përshëndetur këtë rikapje të territorit me një entuziazëm pothuajse absurd. Por në realitetin e ftohtë politik, ky “rikthim” nuk është asgjë më shumë se një tub i shkurtër oksigjeni, një zgjidhje me afat skadence që nuk e mban dot gjallë politikisht përtej pranverës.

Faktorët matematikë dhe juridikë që përcaktojnë fundin e këtij cikli janë të qartë:

Kufizimi ligjor i mandateve: Zgjedhjet e ardhshme vendore do të mbahen mes marsit dhe majit. Veliaj është aktualisht në mandatin e tij të tretë dhe ligji aktual i ndalon kategorikisht kandidimin për një mandat të katërt.
Tirana pa Veliajn: Qartazi, edhe nëse Partia Socialiste e fiton sërish Tiranën në pranverë, Erion Veliaj nuk do të jetë më kryetar i saj.
Kushtëzimi nga drejtësia: Përpjekjet për të mbetur pjesë e politikës aktive janë totalisht të varura nga vendimi përfundimtar i gjykatës mbi fajësinë apo pafajësinë e tij.

A ka një të ardhme politike për të? E ardhmja e Veliajt nuk varet më nga firmat që hedh sot nga qelia apo nga spastrimet administrative. Vetëm një pafajësi e plotë dhe e prerë nga gjykata do t’i jepte atij ndonje shans minimale rikthimi në arenën kombëtare.

E madje, edhe në skenarin ideal të pafajësisë, rikthimi do të kërkonte zotërimin e instrumenteve politike për të mposhtur së brendshmi makinerinë e Edi Ramës dhe lobet e reja që tashmë kanë zënë rrënjë në PS. Firmosja e letrave sot është thjesht shtyrje e kohës; pranvera që po vjen shënjon skadencën e oksigjenit të tij politik./VNA