Ballina Ekonomia Sejko: Brenda vitit sistemi i pagesave të shpejta, ulje kostosh për qytetarët...

Sejko: Brenda vitit sistemi i pagesave të shpejta, ulje kostosh për qytetarët dhe bizneset

80
0

Besueshmëria e bankave qendrore, stabiliteti makroekonomik dhe integrimi financiar në Bashkimin Evropian ishin në qendër të mesazhit të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, gjatë një konference rajonale në Malin e Zi. Një nga zhvillimet konkrete të evidentuara prej tij ishte edhe implementimi i platformës TIPS Clone, sistemi i pagesave të shpejta që pritet të vihet në funksion në Shqipëri deri në fund të këtij viti dhe që synon të ulë kostot dhe kohën e transaksioneve për individët dhe bizneset.

Sejko e cilësoi besueshmërinë e bankave qendrore si një element thelbësor për forcimin e institucioneve dhe zbatimin efektiv të politikës monetare. Sipas tij, përvoja e viteve të fundit ka treguar se besimi te bankat qendrore është veçanërisht i rëndësishëm për ankorimin e pritjeve, ruajtjen e besimit dhe mbështetjen e stabilitetit makroekonomik në kushtet e goditjeve të njëpasnjëshme.

“Besimi ndërtohet mbi një kuadër të fortë institucional, politika të qëndrueshme dhe komunikim të qartë, transparent dhe efektiv me publikun”, ishte një nga mesazhet kryesore të Guvernatorit.

Duke iu referuar eksperiencës së Shqipërisë, Sejko theksoi rëndësinë e ruajtjes së një kuadri të qartë të politikës monetare, të mbështetur në regjimin e shënjestrimit të inflacionit dhe në një kurs këmbimi fleksibël.

Në të njëjtën kohë, ai veçoi reformat e ndërmarra për forcimin e qëndrueshmërisë së sistemit financiar. Në fokus janë përmirësimi i mjedisit të kreditimit dhe modernizimi i infrastrukturës së pagesave, ku një rol të rëndësishëm ka edhe anëtarësimi i Shqipërisë në SEPA, hap që e afron më tej vendin me infrastrukturën financiare evropiane.

Një prej elementeve me ndikim më të drejtpërdrejtë për qytetarët dhe bizneset është zhvillimi i infrastrukturës së pagesave të shpejta.

Guvernatori Sejko bëri të ditur se platforma TIPS Clone, e cila bazohet në klonimin e sistemit evropian për pagesat e menjëhershme, pritet të implementohet në Shqipëri deri në fund të vitit.

Sipas tij, sistemi do të krijojë kursime në kohë dhe para për konsumatorët, individët dhe bizneset shqiptare.

Ky zhvillim shihet si pjesë e procesit më të gjerë të modernizimit të infrastrukturës financiare dhe përafrimit të saj me standardet evropiane.