Pas fjalimeve para Kryeministrisë, qytetarët kanë vijuar me marshimin rrugëve të Tiranës si çdo natë, në ditën e 99-të të protestave kundër Edi Ramës.
Protestuesit shprehën edhe sot shqetësimet e tyre në fjalimet e rastit para godinës së Kryeministrisë. Gjithashtu ata bënë thirrje edhe një herë për pjesëmarrje masive në protestën e nesërme, e cila do shënojë 100 ditët e protestave më të fuqishme kundër qeverisë së Edi Ramës.
Sakaq, ata lajmëruan edhe thirrjen për protestën e së martës në nisje të sesionit të ri parlamentar, para godinës së parlamentit.
Gjatë marshimit, jehuan thirrjet “Shqipëria kërkon revolucion”, “Edi Rama jepe dorëheqjen”.
Aktivistët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive në ditën e 100-të, ndërsa është paralajmëruar rrethimi i Kryeministrisë. Krahas dorëheqjes së Ramës, nga protesta është artikuluar edhe kërkesa për largimin e qeverisë dhe krijimin e një qeverie teknike.
Protestuesit kanë sinjalizuar gjithashtu se aksioni do të zhvendoset edhe përpara Parlamentit me rinisjen e sesionit parlamentar.
Kuvendi rikthehet të martën, më 8 shtator, vetëm një ditë pas protestës së 100-të, duke paralajmëruar një fillim jave me tension të lartë politik.







