Ballina Aktualitet PISA 2025/ Si u deformuan të dhënat nga qeveria, reagon OECD: Nuk...

PISA 2025/ Si u deformuan të dhënat nga qeveria, reagon OECD: Nuk i miratuam ndryshimet

107
0

Kryeministri Edi Rama e nisi ditën e mërkurë me një komunikim live me ndjekësit në Facebook,  duke njoftuar ngjitjen me dhjetra pikë në renditjen “PISA 2025” të nxënësve shqiptarë, një rankim që ai e quajti një ‘dëftesë të jashtëzakonshme’ për punën e bërë nga Ministria e Arsimit.

Në pamje të parë, të dhënat e testimit 2025 tregojnë një përmirësim galopant krahasuar me nivelin e testimit të fundit të bërë në vitin 2022, duke e renditur Shqipërinë të parën në rajon.

Por rezultati i Shqipërisë ka një problem; ai klasifikohet në kategorinë e ‘raportimit të kufizuar’ nga OECD për shkak se kampioni i mbledhjes së të dhënave nuk është bërë konform standardeve të kësaj organizate.

Ndryshe nga vitet e tjera, Shqipëria ka dorëzuar të dhëna të rezultateve vetëm për 76% të shkollave, shumë më poshtë se standardi prej 85 për qind i kërkuar nga OECD, ndërsa janë përjashtuar nga testimi shkollat e vogla me më pak se 21 nxënës nga popullata e 15-vjeçarëve.

Si pasojë, të dhënat për Shqipërinë shoqërohen në raport me një shënim, ku mungesa në mbulimin e kampionit konsiderohet ‘një boshllëk strukturor’, i cili nuk mund të korrigjohet me të dhëna statistikore.

“Shkollat e përzgjedhura që nuk morën pjesë në vlerësim ka të ngjarë të jenë të përqendruara në mënyrë disproporcionale në zona rurale dhe socio-ekonomikisht të pafavorizuara, duke u shërbyer popullatave me performancë akademike historikisht më të ulët,” shkruhet në shënim.

Ministria e Arsimit dhe Qendra e Shërbimeve Arsimore që organizon testimin nuk dhanë një përgjigje deri në publikimin e këtij shkrimi se pse ishte vendosur lënia jashtë e këtyre shkollave dhe nëse ky përjashtim kishte ndikuar në rritjen e rezultatet përfundimtare.

Oliver Clavet, një zëdhënës për statistikat pranë OECD i tha BIRN se këto ndryshime metodologjike janë përgjegjësi e vendit pjesëmarrës dhe nuk janë bërë me miratimin e OECD. Sipas tij, shënimi në raport shërbente si informacion që këto të dhëna “të trajtohen me kujdesin e nevojshëm”.

Organizat e shoqërisë civile dhe ekspertët e arsimit në Shqipëri kundërshtuan të dhënat e raportuara nga qeveria si jopërfaqësuese dhe përzgjedhjen e kampionimit të shkollave si një tentativë për të ‘manipuluar’ përfundimet e tyre.

‘Qëndresa Qytetare’ në një reagim publik kërkoi nga ministria që të bënte transparencë të plotë mbi procesin e kampionimit dhe publikimin e të gjithë dokumentacionit që shpjegon përse një pjesë e shkollave shqiptare u la jashtë testimit.

Si ndikoi kampioni tek rezultatet?!

PISA është sondazhi më i madh ndërkombëtar krahasues në fushën e arsimit në botë, i cili vlerëson shkallën e përvetësimit të njohurive në matematikë, lexim dhe shkenca të nxënësve 15-vjeçarë. Në vitin 2022, Shqipëria shënoi rezultatin më të ulët historik, ndërsa tre vjet më vonë, vendi mori mesatarisht 435 pikë në shkencë, 408 pikë në lexim dhe 433 pikë në matematikë.

Mesataret janë rreth 50–65 pikë më të larta në tri fushat e vlerësimit, por kjo diferencë nuk mjafton, sipas ekspertëve të statistikave, për të provuar përparimin në të nxënë të fëmijëve shqiptarë.

Enkelejda Havari, pedagoge e Ekonomisë në “IESEG School of Management” në Paris dhe Erand Llanaj, studiues në Universitetin e Bielfeld në Gjermani, të dy përfaqësues të grupimit ‘Diaspora Akademike’, bën një analizë të pavarur të të dhënave për t’i dhënë një përgjigje pyetjes se sa nga diferenca  me vitin 2022 pasqyron përmirësimin e të nxënit dhe sa lidhet me ndryshimin e kampionimit.

Sipas tyre, kampioni i marrë në vitin 2025 ka dukshëm më shumë shkolla në zonat urbane.

“Pesha e shkollave rurale ra nga 51% në 18%, ndërsa ajo e shkollave në qytete ose zona më të mëdha u rrit nga 18.5% në 46.6%,” vlerësuan pedagogët, duke theksuar se shkollat e vogla priren të jenë më të pafavorizuara dhe të kenë më pak burime.

Ndryshimi i kampionit e kufizon krahasimin ndërmjet dy cikleve.

Gjithsesi, për të shqyrtuar ndjeshmërinë e rezultateve ndaj përbërjes së kampionit, Havari dhe Llanaj ripeshuan rezultatet e vitit 2025 sipas përbërjes rurale dhe urbane të kampionit të vitit 2022. Në këtë ushtrim, mesataret rezultuan rreth 13–14 pikë më të ulëta në matematikë, lexim dhe shkencë.

Autorët theksojnë se kjo nuk përbën një përllogaritje të rezultatit “real” të Shqipërisë dhe as një matje të ndikimit të shkollave të papërfshira, por është një ilustrim të mënyrës se si ndryshimi i përbërjes së kampionit mund të ndikojë në mesatare.

Analiza evidenton gjithashtu një rritje të përpjekjes së vetëraportuar nga nxënësit gjatë testit: nga 8,35 në vitin 2022 në 8,90 në vitin 2025, në një shkallë nga 0 në 10. Sipas autorëve, ky tregues meriton shqyrtim të mëtejshëm, por nuk provon se ndryshimi i përpjekjes shkaktoi rritjen e pikëve.

Duke e cilësuar ushtrimin e tyre ‘të kufizuar’ por ‘të qartë’, Havari dhe Llanaj theksojnë se  “rezultatet nuk provojnë mungesën e përparimit”, por këto rezultate nuk lejojnë, megjithatë, “që madhësia e tij të matet në mënyrë të besueshme përmes krahasimit të drejtpërdrejtë me vitin 2022”.

Një pasqyrë jo e saktë e realitetit

Përjashtimi i shkollave të vogla, veçanërisht atyre në zonat rurale, ka ndryshuar sipas ekspertëve komponentët që testi PISA synon të masë.

“Parimi i testimit PISA është gjithëpërfshirës,” thotë për BIRN Ndriçim Mehmeti, duke argumentuar se një test që synon të japë një panoramë të sistemit arsimor.

Sipas tij, përjashtimi i këtyre shkollave rrezikon të lërë jashtë nga fotografia një pjesë të nxënësve që përballen me kushte më të pafavorshme arsimore dhe sociale.

Në këtë mënyrë, thotë Mehmeti, rezultati mund të pasqyrojë më shumë performancën e pjesës së sistemit që mbeti brenda kampionit sesa gjendjen e arsimit në tërësi.

Për ekspertin Fatmir Sejdiu, kjo përzgjedhje është bërë nga ministria në mënyrë të qëllimshme duke çuar në rezultate që nuk tregojnë të gjithë tablonë e arsimit shqiptar.

“Këtu ka një çështje metodologjike shumë të rëndësishme, të cilën Kumbaro e fsheh me qëllim, ndërsa shpërndarësit veprojnë symbyllas: OECD thotë se në PISA 2025 shkollat me më pak se 21 nxënës të përshtatshëm për PISA nuk u kontaktuan, duke krijuar një boshllëk në mbulimin e kampionit shqiptar,’ thekson Sejdiu.

Për Sejdiun, pikërisht këtu qëndron problemi kryesor. Nëse pjesë të caktuara të sistemit mbeten jashtë – thekson ai, atëherë një rezultat më i mirë nuk mund të interpretohet automatikisht si dëshmi se i gjithë sistemi arsimor ka bërë të njëjtin progres.

Ekspertët vënë në dukje një paradoks mes tentativës së institucioneve për të paraqitur një rezultat të mirë por jo gjithpërfshirës dhe matjes reale të këtyre rezultateve në funksion të politikave arsimore në të ardhmen.

Fiqiri Çifligu, një njohës i sistemit arsimor, thotë se pavarësisht se nuk faktohet dot ‘qëllimi’ që me lënien jashtë të shkollave të vogla janë arritur rezultatet më të larta, ajo që duhet të shqetësojë publikun është se çfarë ‘fitojmë’ nga prodhimi i një rezultati të tillë.

“Nëse hipotetikisht një përzgjedhje e tillë do të bëhej për të përmirësuar rezultatin, përfitimet do të ishin kryesisht afatshkurtra dhe të lidhura me komunikimin publik,”tha Çifligu.

Sipas Çifligut, edhe pse rezultatet mund të paraqiten si një ‘histori suksesi’ në debatin publik, në afatgjatë ato kanë kosto.

“Një sistem arsimor përfiton më shumë nga një pasqyrë e saktë e gjendjes së tij sesa nga një rezultat disi më i lartë, por më pak përfaqësues,” përfundoi Çifligu./Birn