Ballina Sport Trajneri i Anglisë, Thomas Tuchel arsyeton listën e grumbullimit

Trajneri i Anglisë, Thomas Tuchel arsyeton listën e grumbullimit

60
0

Trajneri i Anglisë, Thomas Tuchel, ka rikthyer në kombëtare Trent Aleksandër-Arnoldin dhe Kol Palmerin, duke theksuar se “dera është gjithmonë e hapur” për lojtarët që tregojnë formën e duhur.

Megjithatë, tekniku gjerman ka dërguar një paralajmërim të qartë: të gjithë duhet të performojnë për të fituar dhe mbajtur vendin në skuadër. Tuheli i la jashtë Trent Aleksandër-Arnoldin dhe Kol Palmerin nga grumbullimi për Botërorin e zhvilluar këtë verë në Amerikën e Veriut.

Të dy rikthehen tashmë për katër ndeshjet e Ligës së Kombeve, pas sfidave të kësaj fundjave me klubet. Aleksandër-Arnold, 27 vjeç, ka 34 ndeshje me Anglinë dhe paraqitjen e fundit e ka bërë në qershor 2025, kur u aktivizua si zëvendësues në fitoren 1-0 ndaj Andorrës.

Me Real Madridin ka luajtur pesë ndeshje këtë sezon, tri prej tyre si titullar, ndërsa ka dhënë një asist. Palmer, 24 vjeç, e ka luajtur ndeshjen e fundit me Anglinë në mars, në humbjen miqësore 1-0 ndaj Japonisë. Këtë sezon ka realizuar katër gola dhe ka dhënë dy asiste në gjashtë takime.

“Nuk kanë bërë asgjë gabim”

“Ata e kanë nisur mirë sezonin. Nuk kanë bërë asgjë gabim. Ne thjesht zgjodhëm lojtarë të tjerë”, u shpreh Tuheli, i cili ka lënë sërish jashtë Fill Fodenin e Mançester Sitit.

“Tani është një kompeticion i ri. Disa lojtarë dhe disa pozicione kanë më shumë dëmtime, të tjerë më pak. Koli ka pasur startet që ka pasur gjithmonë, por tani ka rikthyer edhe statistikat e tij. Ka asistet dhe golat vendimtarë, ndaj është në skuadër”.

Sipas Tuchelit, Palmer ka diçka për të dëshmuar, njësoj si Aleksandër-Arnoldi. “Trenti nuk ka qenë kurrë jashtë listës. Ai ka mundësinë të vijë në grumbullim dhe të tregojë versionin më të mirë të vetes”, tha trajneri.

Aleksandër-Arnoldi është aktivizuar edhe në mesfushë me Real Madridin, përfshirë fitoren e madrilenëve ndaj Interit në Ligën e Kampionëve. Megjithatë, Tuheli ka bërë të qartë se për Anglinë e sheh si mbrojtës të djathtë. “Ka bërë një nisje të mirë në dy pozicione me Real Madridin, por tek ne vjen si mbrojtës i djathtë”, sqaroi ai. I pyetur për besimin që ka tek ish-lojtari i Liverpulit, Tuheli ishte i drejtpërdrejtë:

“Duhet të performojë. Kjo është e gjitha. Është një konkurrencë. E kuptoj pyetjen, sepse ai nuk ishte me ne në Botëror. Ne u besuam lojtarëve të tjerë”. “Unë ende qëndroj pas atij vendimi dhe tani është koha që ai të luftojë për vendin e tij. Ai gjithmonë ka thënë se është gati të luftojë për një vend, veçanërisht te Anglia. Tani është në dorën e tij të provojë veten. Është mëse i mirëpritur në grumbullim dhe jam i sigurt se do të tregojë vlerat e tij”, shtoi Tuheli.

“Nuk mjafton vetëm grumbullimi”

Trajneri i Anglisë theksoi se lojtarët duhet të bindin edhe pasi marrin ftesën. “Është një gjë të nominohesh dhe të rikthehesh në skuadër, siç ndodhi me Kolin, por është tjetër gjë të performosh për Anglinë. Koli duhet të japë më shumë kur të vijë në grumbullim dhe të tregojë të njëjtat shifra për të fituar vendin, për ta mbajtur fanellën dhe për ta justifikuar përzgjedhjen”, deklaroi ai. Tuheli u dha lojtarëve edhe një mesazh të qartë: Çdo ndeshje me kombëtaren duhet shfrytëzuar maksimalisht.

“Jordan Henderson e tha shumë mirë para ndeshjes me Francën: thjesht nuk e di kurrë se kur do të jetë ndeshja jote e ardhshme me Anglinë.

Prandaj, kjo është ndeshja e radhës që luani dhe duhet ta shfrytëzoni në maksimum. Duhet të paraqiteni me qëndrimin e duhur dhe të jepni gjithçka, sepse nuk e dini kurrë”, u shpreh Tuheli. “Kjo nuk është vetëm për Trentin, por për të gjithë. Nëse vini në grumbullim, nuk është thjesht një pushim ndërkombëtar, por një dritare ndërkombëtare ku duhet të tregoni veten”.