Një 21-vjeçar është arrestuar pasi dyshohet se ka vendosur një kuti të dyshimtë në një karburant dhe ka kërcënuar pronarin se ajo do të shpërthente nëse nuk paguante 50 mijë euro.
Ngjarja është regjistruar më 2 tetor 2026, ndërsa Policia e Dibrës, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe shërbimet Operacionale, ka bërë të mundur identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarit brenda pak orësh.
Sipas Policisë, 21-vjeçari me inicialet E. K. dyshohet se rreth orës 14:30 ka vendosur një kuti të dyshimtë në ambientet e një karburanti në pronësi të shtetasit Z. Sh.Mbi kuti ndodheshin një ekran, pjesë elektronike dhe tela, duke krijuar dyshimin se bëhej fjalë për një pajisje shpërthyese të telekomanduar.
Krahas saj ishte lënë edhe një letër kërcënuese, përmes së cilës kërkohej pagesa e 50 mijë eurove, në formën e një “gjobe”. Sipas hetimeve paraprake, pagesa kërkohej të kryhej në kriptomonedha, përmes një pike këmbimi të kriptomonedhave dhe në adresën e përcaktuar nga autori.
Në letër, autori dyshohet se kërcënonte se pajisja do të shpërthente nëse pagesa nuk kryhej brenda afatit të përcaktuar prej tij, nëse kutia do të lëvizte ose nëse do të njoftohej Policia apo persona të tjerë.
21-vjeçari pretendonte gjithashtu se kutia përmbante lëndë plasëse C4, ishte e pajisur me sensorë lëvizjeje dhe telekomandim, si dhe se ambienti monitorohej me kamera.Pas mbërritjes së forcave speciale xheniere të RENEA-s në vendngjarje, u krye hapja dhe kontrolli i kutisë. Nga verifikimet rezultoi se brenda saj nuk kishte lëndë shpërthyese.
Policia njofton se E. K. është arrestuar në flagrancë për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.Nën drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Dibrës për veprime të mëtejshme.







