Ballina Kosovë Ishin bllokuar pas një defekti/ Dalin nga miniera e Trepçës 63 minatorët,...

Ishin bllokuar pas një defekti/ Dalin nga miniera e Trepçës 63 minatorët, ja si është gjendja shëndetësore

69
0

Të gjithë 63 minatorët që mbetën të bllokuar mbrëmjen e së mërkurës në horizontet e minierës në Stantërg kanë dalë në sipërfaqe dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Minatorët mbetën të ngujuar pas një defekti në sistemin e energjisë elektrike, i cili ndodhi rreth orës 19:30. Sipas informacioneve, defekti erdhi si pasojë e djegies së linjave të tensionit të lartë dhe një problemi në trafostacionin e tunelit të parë.

Një pjesë e minatorëve nisën të dilnin përmes daljeve alternative, ndërsa operacioni për nxjerrjen e të gjithëve vijoi gjatë orëve të natës.

Një prej minatorëve që kishte mbetur i bllokuar tregoi se situata në nëntokë ishte e vështirë, veçanërisht për shkak të problemeve me ajrin, panikut dhe stresit.

“Gjendja shëndetësore ka qenë e mirë, por atje vështirësohet ajri. Ka panik, është hera e tretë që ngujohem në minierë, po shtohet panika dhe stresi”, rrëfeu ai.

Minatori tregoi se për të dalë në sipërfaqe u deshën disa orë dhe se në çdo horizont punëtorët ndalonin për të pushuar.

Pas daljes së të gjithë minatorëve, tashmë pritet të përcaktohen shkaqet e defektit elektrik dhe të vlerësohet gjendja e infrastrukturës së minierës.