Ballina Politika Rama rikthehet me gurin në dorë, armiqtë e errët dhe shkëlqimin e...

Rama rikthehet me gurin në dorë, armiqtë e errët dhe shkëlqimin e Shqipërisë që rrezikohet nga adoleshentët

58
0

Edi Rama u shfaq sot në mëngjes me gurin e djeshëm në dorë, për t’u shpjeguar shqiptarëve se ky objekt ndan qartësisht anët e historisë dhe përcakton se ku mbaron e drejta e protestës dhe ku fillon e drejta e shtetit për të marrë në mbrojtje qytetarët e vet.

Pas më shumë se një jave protestash, kryeministri u shfaq përpara një grupi mësuesish të ftuar në Ministrinë e Arsimit, së bashku me Mirela Kumbaron, edhe ajo e zhdukur nga skena publike gjatë këtyre ditëve. Dhe aty nisi shpjegimi i madh për atë që po ndodh në Shqipëri.

Sipas Ramës, nxënësit po përdoren nga forca të errëta që shfrytëzojnë pakënaqësinë ndaj qeverisë. Janë duar që kërkojnë të përfitojnë nga një boshllëk, të frenojnë shkëlqimin e Shqipërisë dhe, natyrisht, të destabilizojnë vendin.

Kryeministri pranoi se mes protestuesve ka edhe studentë që u përkasin ekstremeve ideologjike dhe se ata kanë të drejtë të protestojnë. Por, me sa duket, e drejta e protestës bëhet shumë më e ndërlikuar kur pakënaqësia del nga kontrolli i narrativës qeveritare.

Rama tregoi se kishte përjetuar një shqetësim të madh kur kishte parë pamjet e vandalizimit të librit të Gjergj Fishtës. Një shqetësim që, sipas tij, shkonte përtej faktit se një grup adoleshentësh po dhunonin një simbol kaq kuptimplotë.

Por a i ka parë kryeministri pamjet e dhunës ndaj të rinjve? A i ka parë adoleshentët që goditen, të rinjtë që përplasen përtokë, protestuesit që përballen me forcën e policisë? Apo ka zgjedhur ta ndjekë protestën përmes filtrave të këshilltarëve të tij, ku çdo gur është provë e barbarisë së protestuesve, ndërsa çdo pamje e dhunës policore mbetet jashtë ekranit?

Pastaj erdhi radha e armikut tjetër: TikTok-ut dhe rrjeteve sociale.

Sipas kryeministrit, ato kanë krijuar një realitet paralel, ku algoritmet funksionojnë njësoj si rrjetet e shpërndarjes së drogës, duke krijuar varësi dhe duke i shkëputur të rinjtë nga realiteti.

Pra, përveç forcave të errëta, ekstremeve ideologjike dhe duarve që duan të destabilizojnë Shqipërinë, tani kemi edhe algoritmin që duhet të mbajë përgjegjësi për zemërimin e adoleshentëve.

Por mes gjithë këtyre shpjegimeve, Rama pranoi diçka shumë më interesante: rreziku që numri i protestuesve të rritet është real.

Dhe pikërisht për këtë kërkoi mbështetjen e mësuesve që kishte ftuar në takim, për të shmangur përshkallëzimin e situatës. Mësuesit, të vendosur sot në rolin e dekorit të një takimi politik, u thirrën të bëhen pjesë e përpjekjes për të frenuar një protestë që ka nisur pikërisht nga pakënaqësia e nxënësve dhe studentëve.

Në fund, kryeministri kishte një gur në dorë dhe një shpjegim për gjithçka: forcat e errëta, ekstremistët, TikTok-un, algoritmet dhe armiqtë e shkëlqimit të Shqipërisë.

Vetëm për një gjë nuk pati të njëjtën vëmendje: për arsyet që i nxorën këta të rinj në rrugë dhe për dhunën që një pjesë e tyre kanë denoncuar se kanë përjetuar nga policia.

Sepse është shumë më e lehtë t’u tregosh shqiptarëve një gur, sesa të përballesh me zemërimin e një brezi të tërë./vna