Ballina Europë Epstein dhe Maxwell në rezidencën mbretërore në vitin 1999, policia skoceze heton...

Epstein dhe Maxwell në rezidencën mbretërore në vitin 1999, policia skoceze heton vizitën në Kështjellën Balmoral

60
0

Policia e Skocisë ka nisur verifikimet lidhur me një vizitë që Jeffrey Epstein dhe bashkëpunëtorja e tij, Ghislaine Maxwell, dyshohet se kanë zhvilluar në Kështjellën Balmoral në vitin 1999, si të ftuar të princit të atëhershëm Andrew, i njohur sot si Andrew Mountbatten-Windsor. Hetimi vjen pas pretendimeve se gra janë dërguar në pronën private të familjes mbretërore britanike, ku ndodhet edhe rezidenca e dikurshme e Mbretëreshës Elizabeth II, me qëllim shfrytëzimin seksual.

Një zëdhënës i Policisë së Skocisë konfirmoi për gazetën The Guardian se autoritetet kanë marrë informacione dhe po kryejnë verifikime, por theksoi se hetimi ndodhet ende në fazat fillestare. “Kemi marrë informacione dhe po kryejmë hetime, të cilat janë ende në një fazë shumë të hershme. Çdo hetim bazohet në prova, me nevojat e viktimave dhe të mbijetuarve në qendër të tij. Ne kurrë nuk konfirmojmë detajet e hetimeve në vazhdim dhe nuk do të ishte e përshtatshme të komentonim më tej”, deklaroi zëdhënësi.

Sipas raportimeve, Epstein dhe Maxwell janë takuar me Andrew në vitin 1999 dhe kanë vizituar Balmoral po gjatë atij viti. Një fotografi ku shfaqen së bashku në pronën mbretërore, megjithëse pa një datë të saktë të shkrepjes, u paraqit edhe gjatë gjyqit të Maxwell në vitin 2021. Jeffrey Epstein, i cili ndërroi jetë në vitin 2019, ishte dënuar në vitin 2008 për vepra penale që përfshinin kërkimin e shërbimeve seksuale nga të mitura dhe gra të reja. Ndërsa Ghislaine Maxwell u dënua në vitin 2021 për trafikim qeniesh njerëzore me qëllim shfrytëzimin seksual dhe po vuan një dënim prej 20 vitesh burg.

Verifikimet e policisë skoceze rikthejnë në vëmendje lidhjet e Epstein me figura të njohura dhe rrethin mbretëror britanik. Megjithatë, autoritetet nuk kanë bërë ende publike detaje mbi provat që po shqyrtohen apo mbi pretendimet konkrete lidhur me atë që mund të ketë ndodhur në Balmoral.