Stuhia ‘Charls’, e cila ka përfshirë brigjet portugeze me reshje intensive dhe erëra të forta, po zhvendoset drejt Ballkanit dhe pritet të prekë Shqipërinë gjatë natës.
Zonat më të rrezikuara në vend parashikohen të jenë veriu dhe veriperëndimi, veçanërisht Shkodra, Bajram Curri, Puka dhe Lezha, ku priten reshje me intensitet të lartë.
Në disa zona, sasia e shiut mund të kalojë 100 milimetra, duke rritur rrezikun e përmbytjeve. Problematike paraqitet edhe situata në vijën bregdetare, ku era pritet të arrijë mbi 80 km/orë në det të hapur dhe deri në 100 km/orë, duke shkaktuar dallgëzim të fortë dhe vështirësi në trafikun detar, si në Jon ashtu edhe në Adriatik.
Ndryshe nga kushtet e zakonshme të nëntorit, temperaturat të premten pritet të arrijnë deri në 26-27 gradë Celsius. Ndërkohë që stuhia nuk pritet të qëndrojë gjatë në Shqipëri.
Të dielën parashikohet përmirësim i motit, ndërsa temperaturat do të pësojnë rënie me rreth 6 gradë, duke u kthyer në vlera më tipike për stinën e vjeshtës. Gjatë javës së ardhshme priten sërish reshje shiu, ndërsa në zonat malore parashikohet rikthimi i reshjeve të dëborës.







