Deputetja e pavarur Marjana Koçeku, deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, si dhe nënkryetari i PD-së, Nikola Kedhi, patën sot një takim në ambasadën amerikane me zyrtarë të lartë amerikanë të ardhur nga Uashingtoni.
Tre të rinjtë e opozitës, duket se janë një zgjedhje jo e rastësishme. Ndërsa burimet thonë se në takim është folur për situatën politike në Shqipëri, duke përfshirë edhe pakënaqësitë e akumuluara dhe të shprehura përmes protestës popullore.
Takimi merr rëndësi edhe për shkak të momentit politik në të cilin zhvillohet. Mazhoranca vazhdon betejën me drejtësinë, pasi ish-zyrtarë dhe zyrtarë të lartë të qeverisjes socialiste akuzohen për korrupsion. Asambleja Kombëtare e PS-së, që zhvillohet këtë të shtunë dhe ku priten ndryshime, ndoshta me qëllim për të retushuar gabimet, duket si përpjekje për të shuar pakënaqësinë masive që ekziston në popull. Ndërkohë, protesta studentore vazhdon dhe studentët kanë refuzuar në vazhdimësi dialogun e kërkuar nga kryeministri.
Prania e tre përfaqësuesve të rinj të opozitës në një takim me zyrtarë amerikanë të ardhur nga Uashingtoni përbën një zhvillim që tërheq vëmendjen, veçanërisht për sinjalet politike që mund të përcjellë.







