Ballina Europë Kurdët mund të përcaktojnë fituesin në zgjedhjet e së dielës në Stamboll

Kurdët mund të përcaktojnë fituesin në zgjedhjet e së dielës në Stamboll

15
0

Të dielën në Turqi zhvillohet zgjedhjet vendore. Vota pritet të jetë një tregues i mbështetjes, ose mungesës së saj, për Presidentit Rexhep Taip Erdogan. Një nga garat që ka ngjallur interes është ajo për Stambollin, kur një rol të rëndësishëm pritet të luajnë votuesit kurdë. Shumë prej tyre duket se kanë vendosur të lënë anash dallimet partiake dhe të mbështesin kundërshtarin kryesor të Presidentit Erdogan duke lëkundur shpresat e tij për të marrë sërish qytetin që dikur e kishte udhëhequr.

Votuesit e partisë pro-kurde DEM ishin qenësorë për t’i siguruar fitoren kryebashkiakut Ekrem Imamoglu në zgjedhjet komunale të vitit 2019, që tronditën zotin Erdogan dhe i dhanë fund qeverisjes së partisë së tij AKP dhe paraardhësve të tyre islamistë në Stamboll. Kjo fitore i dha opozitës një pushtet të rëndësishëm gjatë këtyre pesë viteve të fundit.

“Partia kryesore opozitare CHP nga njëra anë dhe partia në pushtet AKP dhe partneri i saj i koalicionit MHP nga ana tjetër, thonë se ‘pavarësisht se çfarë ju bëjmë kurdëve, ata janë të lumtur dhe vazhdojnë të na mbështesin.’ Por që tani e tutje po u themi Jo, do të votojmë për interesat tona,” sipas politikanes kurde Leyla Zana.

Por humbja e thellë e opozitës në zgjedhjet presidenciale të majit ndaj zotit Erdogan ndryshoi relievin politik, duke i lënë votuesit e partisë pro-kurde DEM të përçarë se cila është forma më e mirë për të mbështetur kauzën e komunitetit kurd.

Në Stamboll, anketat tregojnë se kandidati i Partisë Popullore Republikane Imamoglu dhe kundërshtari i tij nga radhët e AKP-së kanë një diferencë të ngushtë mes tyre, ndërkohë që kandidati i partisë pro-kurde ka mbetur prapa. Ky fakt i ka lënë përkrahësit e partisë kurdë përballë një dileme: a duhet të votojnë me zemër apo me kokë?

Qeveria e zotit Erdogan i ka shtypur partitë kurde që nga viti 2015, kur dështoi procesi paqësor për t’i dhënë fund kryengritjes shumë dekadëshe të udhëhequr nga Partia Punëtore e Kurdistanit PKK, e cila është shpallur e jashtëligjshme.

“Drejtuesit lokalë në rajonin e Kurdistanit, që janë të emëruar nga qeveria turke dhe jo të zgjedhur, pengojnë përparimin e Turqisë dhe dëmtojnë lirinë e të shprehurit. Nuk presim që kjo të ndodhë sërish. I besojmë vetes, u besojmë njerëzve tanë. U besojmë votave që do të marrim në zgjedhje, votave që do të dalin nga kutitë e votimit,” thotë kandidati i partisë DEM për kryebashkiak të qytetit të Diyarbakir-it, Serra Bucak.

Partia DEM, që është partia e tretë më e madhe në parlament me rreth 10 për qind të deputetëve, është pasardhëse e partisë HDP, e cila ka gjasa të pushojë veprimtarinë pas një gjykimi rreth lidhjeve të saj me militantë islamikë, të cilat kjo parti i mohon.

Partia HDP është dobësuar për shkak të mijëra arrestimeve nga radhët e saj dhe heqjes nga posti të kryebashkiakëve të saj pas zgjedhjeve të kaluara, çka pritet të ndikojë tek mbështetësit e kësaj partie që të kundërshtojnë partinë AKP në tërë vendin dhe të mbështesin partisë pro-kurde DEM në pjesën juglindore të dominuar nga kurdët dhe në Dyiarbakir, njërin nga qytetet më të mëdha në këtë rajon.

“Gjatë zgjedhjeve të fundit, votuam kundër partisë AKP për shkak se emëroi njerëzit e vet të besueshëm në poste drejtuese. Për këtë arsye mbështetëm Partinë Popullore Republikane, partinë kryesore opozitare, por kjo parti nuk ka ndërmarrë ndonjë hap pozitiv dhe nuk ka bërë asgjë për shkak të frikës nga qeveria, madje nuk ka bërë as sa AKP-ja. Për këtë arsye ne dolëm me kandidatët tanë këtë radhë,” thotë banori i Diyarbakir-it, Alatin Gunej.

Presidenti Erdogan, që ka shërbyer si kryebashkiak i Stambollit nga viti 1994 deri në vitin 1998, e kritikoi këtë “pazar të ndyrë”, siç u shpreh ai, në përpjekje për të nxitur tensione ndërmjet partive.

Kandidatja e partisë DEM për kryebashkiake të Stambollit Meral Danis Bestas hodhi poshtë pretendimet se po palët po taktizojnë.

“Gjatë dy zgjedhjeve të kaluara, morëm disa vendime për t’i hapur rrugën demokratizimit, në bazë të disa veprimeve strategjike. Megjithatë, nuk kemi mision apo rol që vazhdimisht të mbështesim parti të tjera, kjo bie ndesh me natyrën e politikës, ne po ndjekim rrugën tonë, rrugën e tretë,” thotë kandidatja e partisë DEM për kryebashkiake të Stambollit, Meral Danis Bestas.

Qëndrimi i zonjës Bestas mbështetet nga votuesit e partisë DEM të cilët duan të tregojnë fuqinë e tyre pas goditjes që morën nga pushteti, kur zyrtarët e emëruar nga shteti zëvendësuan kryebashkiakët e zgjedhur kurdë në pjesën juglindore të vendit.

Gjatë javëve të fundit, personalitete të rëndësishme politike kurde kanë bërë thirrje për një proces të ri paqësor rreth kërkesave të tyre për autonomi më të gjerë kulturore të kurdëve, të cilët përbëjnë rreth 15-20 për qind të popullsisë 85 milionëshe të Turqisë.

Ankaraja e akuzon partinë pro-kurde për lidhje me PKK-në, të cilën Turqia, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian e kanë shpallur organizatë terroriste, pas konfliktit që la të vrarë mbi 40,000 njerëz. HDP-ja mohon se ka lidhje me këtë parti.

Kandidatja Bestas thotë se aktualisht nuk ka shenja të rikthimit te një proces paqësor, por se demokratizimi kërkon zgjidhjen e çështjes kurde./VOA