Ballina Politika Berisha: Nesër para Bashkisë Tiranë protestojmë kundër njërit prej monstrave të shtetit...

Berisha: Nesër para Bashkisë Tiranë protestojmë kundër njërit prej monstrave të shtetit kleptokratik. Të firmosim një drejtim të ri për Shqipërinë

14
0

Lideri i opozitës, Sali Berisha i ka bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesën masivisht në prostestën që do zhvillohet ditën e hënë në orën 11:00 para Bashkisë Tiranë.

PJESË NGA FJALIMI I BERISHËS

Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta. Mirënjohjen më të pakufishme ju qëndrestarëve dhe qëndrestarë të pamposhtur, oratorëve të parlamentit të lirisë që me fjalët dhe mendimet e tyre ndriçojnë zemrat dhe mendjet e shqiptarëve në këtë kohë velloje censure të tmerrshme mbi ata.

Miqtë e mi! Nesër është një ditë e re qëndrese. Nesër Tirana proteston me mosbindje civile tek njëri nga simbolet më të shëmtuara të shtetit shqiptar.

Proteston kundër njërit prej monstrave të shtetit kleptokratik, të diktaturës së bazuar në aleancën me krimin, drogën dhe vjedhjen e shqiptarëve.

Proteston me të vërtetë për ekzistencën e shqiptarëve si komb i lirë, për dinjitetin e qytetarëve shqiptarë.

Proteston për të firmosur një drejtim tjetër të ri për Shqipërinë dhe shqiptarët, për të ndërprerë sundimin e egër të mafias së drogës, krimit dhe vjedhjes mbi ta.

Për të ndërprerë rrokullisjen e kombit si asnjëherë tjetër në shekuj dhe mijëvjeçarë në honet e tmerrshme të shpopullimit masiv të Shqipërisë.

Protesto në fakt, në thelb për ekzistencën e këtij kombi në trojet e veta. Çdo  qytetar i këtij vendi që e ndjen veten sadopak shqiptar. Që e sheh Shqipërinë se si tretet para syve të tij, sheh pasuritë e këtij vendi se si plaçkiten në mënyrë të tmerrshme nga një klan qeveritarësh.

Sheh krimin që me hanxharët e tij bën ligjin në rrugë, në shesh, në parlament, në kryeministri, në ministrinë e Rendit, në bashki dhe në mbarë vendin.

Të gjitha këto shpresoj se duhet të bëhen një nxitje e madhe për një mision të ri, për një mision shpëtimtar.

Duhet të frymëzohet nga ju, qytetarë dhe qytetare, qëndrestarë dhe qëndrestare që çdo natë kapërceni çdo vështirësi dhe ngrini këtu zërin e protestës.

Mbroni këtu asgjë më shumë për veten tuaj, se sa për çdo qytetar të ndershëm shqiptar. Asgjë më shumë për veten tuaj se sa për çdo patriot shqiptar. Asgjë më shumë për veten tuaj, se sa për çdo burrë, grua, të re dhe të ri të këtij vendi.

Të dashur miq, qytetarë dhe qytetare. Mafia shtetërore shqiptare me në krye Edi Ramën. Narkoregjimi i tij ka bërë ndaj nesh çdo provokim. Ka ndërmarrë ndaj nesh çdo akt poshtërues të pamerituar.

Ka kryer ndaj nesh gjenocid masiv dhe shpopullim të Shqipërisë. Ka nxirë emrin e Shqipërisë dhe shqiptarëve në mbarë botën. Ka vendosur mbi qytetarët vellon e zezë të censurës dhe mashtrimit.

Ka vendosur nën kontroll jo vetëm drejtësinë e cila sillet me zamanët e saj, njëlloj si dikur në kohërat më të egra  të diktaturës. Ka vendosur në kontroll institucione të tjera, mediat pa të cilat nuk ka kurrë demokraci.

Miqtë e mi! Me dhimbje ua them, po vetëm tre ditë më parë kur Edi Rama kreu i meduzës së krimit të organizuar dhe mafias në Shqipëri, kur Edi Rama ortaku i McGonigalit, Pëllumb Gjokës, Troplinëve, Ndokëve, Rrajave, Çelëve e të tjerë, shfryu kundër deputetëve të PD-së në parlament dhe protestës tuaj, i shkatërroni me votë.

A mund të imagjinoni ju se në zinxhir 90% të medieve vendosën titullin e diktuar nga zyra e kryeministrisë, e kryehajdutit, e kryekriminelet, e kryetrafikantit të vendit Edi Rama; i shkatërroni opozitën dhe kjo ishte.

Në vend që ti përvisheshin narkodiktatorit për sulmin e shpëlarë ndaj qëndrestarëve opozitarë në rrugë dhe parlament përcillnin si repart ushtarak, thirrjen barbare të një kryekrimineli që e ka emrin Edi Rama.

U ndala në këtë prap jo për të thënë diçka që nuk e dinit, por thjeshtë për të theksuar se sa jetike, sa rëndësi të jashtëzakonshme ka qëndresa juaj, ka qëndresa qytetare në këtë kohë.