Ballina Politika Procesi i Berlinit, Tabaku në mbledhjen e KKIE: Mundësi për të fuqizuar...

Procesi i Berlinit, Tabaku në mbledhjen e KKIE: Mundësi për të fuqizuar edhe më shumë institucionet demokratike të vendit

8
0

Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, deputetja e PD, Jorida Tabaku foli në lidhje me procesin e Berlinit dhe integrimin europian. Ajo nënvizoi rëndësinë e procesit që sipas saj, është lënë pas dore nga qeveria socialiste prej disa vitesh, ndërkohë që në fokusin e saj kësaj radhe ishte çështja e rendit publik.

Në KKIE i pranishëm ishte dhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla, ndërkohë që kryetarja e KKIE i kujtoi z. Balla se ende janë të freskëta skenat e shqiptarëve që shkojnë me gomone në Mbretërinë e Bashkuar. Gjithashtu ajo tha se ka rëndësi që policia e shtetit të mos jetë krahu i djathtë i grupeve kriminale.

Fjala e Deputetes Jorida Tabaku në mbledhjen e KKIE

Procesi i Berlinit u ideua si një urë tjetër bashkëpunimi dhe fuqizimi të një lidhje fizike por që duhet të ishte edhe institucionale mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Procesi, kishte idenë dhe buronte nga filozofia e ofrimit tek vendet e Ballkanit Perëndimor jo vetëm të granteve dhe mundësive për zhvillimin infrastrukturor por edhe si një mundësi për të fuqizuar edhe më shumë institucionet demokratike të vendit. Në pak fjalë Procesi Berlinit është një proces integral i Integrimit Europian.

Si pjesë e Procesit të Berlinit një rëndësi të veçantë kanë dhe angazhimet dhe detyrimet që lidhen me lëvizshmërinë dhe sigurisht kontrollin e territorit.

Lëvizja në rajon me kartat e ID është një nga lehtësimet e para që erdhi, por kjo sigurisht vjen me sfida për zbatimin e saj.

Lufta kundër terrorizmit dhe plani i përbashkët me vendet e BP si dhe lufta kundër krimit të organizuar janë dy elementë kyç që kanë rëndësi jo vetëm për procesin e Berlinit por njëkohësisht dhe për kapitullin 24 si dhe strategjinë kundër krimit të organizuar 21-15.

Antitrafikimi si një element kyç dhe bashkëpunimi ndërkombëtar në këtë drejtim si dhe migracioni janë dy pobleme që fatkeqësisht janë përkeqësuar dhe jo përmirësuar. Për të gjithë ne janë të freskëta imazhet e anijeve të vogla në brigjet angleze, prandaj shpresoj sot minitri do fokusohet dhe tek problemet e migracionit.

Dhe në të gjitha këto sfida që janë pjesë e procesit të Berlinit dhe të Integrimit problemi kryesor është dhe integriteti i forcave policore, lidhja me krimin, me trafikun e drogës. Si kryetare e këshillit kombëtar të integrimit por dhe si qytetare shqiptare nuk ndjehem aspak mirë kur lexojmë e dëgjojmë për lidhjen e strukturave të policisë me grupet kriminale, dekospirimin e operacioneve.

Policia e shtetit është një nga këto institucione që do të duhet të ishte dhe mbetej në pararojën e një beteje ndaj sfidave të reja, si terrorizmi apo sulmet kibernetike, por edhe sifdave të vjetra të vendit tonë si krimi i organizuar dhe lidhjet mafioze. Fatkeqësisht, litarët e errët të lidhjes mes krimit të organizaur dhe policisë së shtetit vazhdojnë të mbeten të forta dhe pashkëputura.

Një vit më parë aksionet e SPAK dëshmuan lidhje të krimit të organizuar me drejtues të lartë të policisë, po ashtu treguan se si drejtues të polcisë kishin kontakte të papërshtatshme përmes platformave të enkriptuara me figura të rëndësishme të botës së krimit. E gjitha kjo vjen kur Shqipëria që kërkon të anëtarësohet në Bashkimin Europian, ka pasur histori dhe dosje si ajo e Dibrës ku drejtues policie bashkërendonin me persona me precendentë penalë blerjen e votave. Një dosje aq famëkeqe saqë u përfshi në një nga prioritet e Bundestag. Problemet e lidhjes së policisë me botën e nëndheshme janë një këmbanë alarmi për procesin e integrimit europian në lidhje me forcimin e shtetit të së drejtës, kur policia shqiptare gjoja ka kaluar një proces vetimi. Nga ky proces nuk u zbuluan dot as lidhjet mafioze të disa drejtuesve të lartë të policisë dhe as përdorimi i aplikacioneve të enrkiptuara duke dëshmuar cekësinë e këtij procesi vetimi dhe krizën reale të vendit tonë; mungesën e një policie në shërbim të qytetarëve dhe hetimin e plotë të ngjarjeve.

Një situatë e tillë ka krijuar perceptimin, e drejtë, që policia jo vetëm që nuk është një nga hallkat parandulese të korrupsionit por fatkeqësisht në disa raste tejet specifike është kthyer në një krah në shërbim të krimit të organizuar. E vërtetë masat që ka ndërmarrë policia dhe ministrai në lidhje me krimin kibernetik janë në rritje, mirëpo sot e kësaj dite institucioneve shqiptare nga ekzekutivi tek parlamenti janë sulmuar dhe hack-uar por duket se policia ka qenë inekzistente në parandalimin e tyre.

Bashkëpunimi me partnerët tanë, që ministri do të na parashtrojë me gjasë si një argument, është thjesht një iluzion nëse ne i referohemi lidhjes së ngushtë dhe problemeve dhe shqetësimeve që policia shtetit ka me krimin e organizuar. Probleme dhe shqetësime që prej mbi një dekade mbeten të njëjta dhe të pa adresuara.