Ballina Sport Dhunë e egër në derbin e madh të Paraguait/ Tifozët mbajnë si...

Dhunë e egër në derbin e madh të Paraguait/ Tifozët mbajnë si mburojë një polic, qëllohen me plumba gome

67
0

Kaosi shpërtheu në derbin e madh të Paraguait mes Club Olimpia dhe Cerro Porteño, duke detyruar ndërprerjen e ndeshjes pas vetëm 30 minutash lojë.

Takimi, që ishte ende 0-0, u ndal me urdhër të gjyqtarit Juan Gabriel Benitez, pasi shpërthyen përleshje në Tribunën Veriore mes tifozëve të Cerro-s dhe forcave të rendit. Policia ndërhyri duke përdorur plumba gome dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën, çka shkaktoi panik dhe vështirësi në frymëmarrje te spektatorët.

Sipas Policisë Kombëtare të Paraguait, ka të lënduar si mes efektivëve ashtu edhe tifozëve, por pa një bilanc të saktë. Situata u përkeqësua kur disa tifozë arritën të rrëmbenin një mburojë policie dhe ta shfaqnin atë si simbol sfide.

Përdorimi i gazit lotsjellës detyroi shumë tifozë të futeshin në fushë për t’i shpëtuar kaosit, ndërsa lojtarët e Cerro Porteño, përfshirë Juan Iturbe, tentuan të ndihmonin duke hedhur shishe uji drejt tribunave.

Për shkak të mungesës së sigurisë minimale, drejtori i ndeshjes në Federatën e Futbollit të Paraguait, Michel Sanchez, njoftoi shtyrjen përfundimtare të sfidës. Në vendngjarje ndërhynë edhe ambulanca, zjarrfikës dhe ekipe mjekësore për të trajtuar të plagosurit.

Më shumë se 3,500 efektivë policie ishin angazhuar për sigurinë e kësaj përballjeje, por situata doli jashtë kontrollit. Në momentin e ndërprerjes, rezultati mbetej i barabartë, ndërsa Club Olimpia kryesonte renditjen e kampionatit Apertura me 39 pikë, përpara Cerro Porteño me 33 pikë.