Në Galerinë e Artit Tiranë (GAT) u çel edicioni i 16-të i ekspozitës “PranverArt”.
Më shumë se 60 artistë prezantohen në këtë ekspozitë me teknika dhe mediume të ndryshme të artit pamor, duke nisur që nga piktura, skulptura apo qeramika. Ky edicioni organizohet nga piktori Lazar Taçi dhe skulptori Maksim Bushi.
Në mbrëmjen e inaugurimit, “Pranverart” pati një numër të lartë vizitorësh.
Ekspozita është mirëpritur nga GAT me qëllimin për të promovuar emra të rinj në artin shqiptar. “PranverArt” është një grupim artistësh të lirë, piktorë dhe skulptorë, i themeluar që prej vitit 2010.
Grupimi organizon ekspozitën e përvitshme me të njëjtin titull përgjatë 15 vitesh, duke kontribuar në pasurimin e kalendarit kulturor dhe artistik të kryeqytetit.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 28 prill.







