Ballina Aktualitet Kryetarja e Komitetit të Helsinkit: Mbajtja e të pandehurve në kafaz xhami,...

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit: Mbajtja e të pandehurve në kafaz xhami, e paligjshme!

72
0

Kryetarja e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Erida Skëndaj, e ka cilësuar të padrejtë mbajtjen në kafaz prej xhami të zyrtarëve, gjatë seancave gjyqësore në Gjykatën e Posaçme.

Në një lidhje për emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori në Report Tv, Skëndaj është shprehur se kjo praktikë është në kundërshtim me kodin e procedurës penale dhe me jurisprudencën e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Këto komente të Skëndaj vijnë pasi Komiteti Shqiptar i Helsinkit, përmes një reagimi të mëparshëm, e vlerësoi si shkelje të rëndë të ligjit dhe të standardeve të Gjykatës Evropiane të të drejtave të njeriut, mbajtjen në kafaz metalik apo prej xhami të zyrtarëve gjatë seancave në Gjykatën e Posaçme.

Këtë reagim të Komitetit Shqiptar të Helsinkit për këtë çështje, Skëndaj e cilësoi plotësisht të justifikuar.

“Komiteti shqiptar i Helsinikit ka reaguar, pasi ka marrë në shqyrtim një ankesë nga avokati i Beqajt. Si rasti i Beqajt, ashtu edhe rasti i Metës, kanë ngjashmëri me njëri-tjetrin. Të pandehurit në seancat në GJKKO mbahen në ambiente të kufizuara, që ndahen në raport me pjesën tjetër me anë të një qelqi. Më herët kafazet kanë qenë metalike, në rikonstruksionet e mëhershme të sistemit tonë gjyqësor. Komiteti i Helsinkit pasi ka studiuar me vëmendje të dyja rastet dhe ka parë edhe jurisprudencën e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut që vendos atë vijën se deri ku mund të shkojë një kufizim i të drejtave të parashikuara në këtë konventë, vuri re që kjo praktikë binte ndesh si me kodin e procedurës penale, edhe me jurisprudencën e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut.

 

Dhe vlerësoi se kjo praktikë e pajustifikuar me vendimmarrje që kanë të bëjnë me çështje të sigurisë, është në kundërshtim me kodin e procedurës penale dhe me jurisprudencën e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, që e konsideron një praktikë të tillë që bie ndesh me nenin 3 dhe 6 të Konventës Europiane, që garanton të drejtën për një trajtim dinjitoz të shtetasve të pandehur dhe të drejtën për një proces të rregullt në raport me konfidencialitetin që duhet të ketë personi i pandehur në komunikimin me avokatin e tij ose të saj gjatë përfaqësimit në seancë gjyqësore.

 

Pra reagimi ynë ishte plotësisht i justifikuar. Menjëherë pasi patëm këtë reagim publik, ne e vumë në dispozicion me një shkresë zyrtare GJKKO-së, drejtuar kryetarit të kësaj gjykate, por edhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, pasi në rastin e zotit Beqaj, GJKKO ishte shprehur se duhet të kishte një vlerësim apo vendimmarrje Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve për rastin në fjalë. S’kemi pasur ende një përgjigje nga këto 2 institucione, pasi shkresa zyrtare është dërguar ditën e premte të javës që shkoi, por u tha publikisht që kërkesa e avokatit të Metës nuk është pranuar. Nuk jemi të qartë pse kjo kërkesë nuk është pranuar, por ne ritheksojmë se për secilin shtetas të pandehur, pavarësisht pozitës që ky person mund të ketë patur para se të ketë qenë i pandehur, mbajtja në ambiente të tilla të kufizuara dhe në distancë me avokatin, bie ndesh me parashikimet ligjore dhe standardet e Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut, nëse nuk justifikohet me një vendim që përcakton dhe arsyeton nevojën e sigurisë dhe cënimin e saj”, tha mes të tjerash Skëndaj.

 

Më tej Skëndaj shtoi se mbajtja në kafazë prej xhami e zyrtarëve gjatë seancave në GJKKO, cënon prezumimin e pafajësisë që çdo person e gëzon dhe pengon komunikimin konfidencial të të pandehurit me avokatin.

“Për të folur pak për Komitetin Shqiptar të Helsinkit. Unë nuk mendoj se shqetësimi kryesor kur flasim për çështje të tilla, është reagoi apo nuk reagoi Komiteti Shqiptar i Helsinkit. Ne kemi reaguar vazhdimisht për kushtet e vështira në sistemin e burgjeve, për rastet që kanë ndodhur, ku persona në varësi të lëndëve narkotike kanë humbur jetën për shkak të mungesës së metadonit, etj. Shkeljet e të drejtave të njeriut janë shumë të mëdha. Çdo aktor që mendon se duhet t’i bashkohet kësaj kauze, duhet të reagojë. Pra është Gjykata që e vlerëson rast pas rasti, në bazë të standardeve që ka vendosur Gjykata e Strasburgut, se kur ekzistojnë nevojat për cënimin e sigurisë për të cilat mund të vendoset një ndarje e qelqtë, e cila s’duhet të cënojë konfidencialitetin në komunikim mes avokatit dhe të pandehurit dhe nuk duhet të cënojë prezumimin e pafajësisë që çdo person e gëzon, me qëllim që ky person të mos paragjykohet dhe të shihet nga publiku si një person fajtor që ka kryer veprën penale. Kjo është pikërisht, vendosja e xhamit të qelqtë, ose e ndarjeve të tjera që bëjnë të mundur mbrojtjen e Gjykatës dhe aktorëve të saj, por edhe të pandehurit nga elementë të cënimit të sigurisë, janë të tolerueshme, por edhe në këto raste nuk duhet të cënohet e drejta për një proces të rregullt, që kërkon komunikim konfidencial me avokatin dhe mos-cënim të parimit të prezumimit të pafajësisë”, tha me tej Skëndaj.

 

Po ashtu Skëndaj deklaroi se cënimi i Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut përmes mbajtjes së zyrtarëve në kafazë prej xhami gjatë seancave gjyqësore, mund të sjellë probleme me instanca të tjera të gjyqësorit, përfshi Gjykatën e Strasburgut.

“Kjo jurisprudencë e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut është elaboruar në mënyrë të veçantë për raste të shtetasve kundër Rusisë. Kështu që mendoj se këtu me këto dy raste që avokatët i kanë bërë publike dhe i kanë sjellë në qendër të vëmendjes publike, është shumë e nevojshme që aktorët e sistemit të drejtësisë të reflektojnë dhe të mos tregohen konservatorë në qasjen dhe reagimin e tyre. Çdo cënim i KEDNJ sjell probleme në instanca të mëtejshme dhe vendimmarrje të Strasburgut sikurse është shprehur për raste të tjera në vende të tjera, sikundër ka qenë edhe Rusia, e cila tanimë s’është më pjesë e Këshillit të Europës”, përfundoi Skëndaj.

 

Kujtojmë se kryebashkiaku Erion Veliaj dhe ish-Presidenti Ilir Meta kana bërë kërkesa në GJKKO që të mos qëndrojnë në kafazë xhami gjatë seancave gjyqësore, duke e cilësuar këtë masë si të padrejtë. Meta madje ka bërë 2 kërkesa dhe e ka cilësuar masën e vendosur nga Gjykata për të qëndruar në kafaz xhami si një masë poshtëruese.

“Si e tillë, kjo praktikë duhet menjëherë të ndërritet dhe i pandehuri duhet të trajtohet me dinjitet dhe sipas standarteve të procesit të rregullt ligjor. Derisa të merren masat që kjo shkelje e dinjitetit njerëzor vendosur me qëllim poshtërues të hiqet, ne nuk do të zhvillojmë seanca gjyqësore. Besojmë dhe shpresojmë se do merren masa për rikthimin e normalitetit dhe gjykimi të vazhdojë sipas standartit të prezumimit të pafajësisë dhe dinjitetit njerëzor”, thuhej në kërkesën e Metës për GJKKO.