Ballina Sport Portieri legjendar drejt lamtumirës nga futbolli

Portieri legjendar drejt lamtumirës nga futbolli

65
0

Portieri legjendar i Meksikës, Guillermo Ochoa, ka njoftuar se do t’i japë fund karrierës së tij pas pjesëmarrjes në një ngjarje historike, në Botërorin e tij të gjashtë.

40-vjeçari, i cili ka lënë gjurmë si me klubet ashtu edhe me kombëtaren, synon të mbyllë ciklin me një tjetër paraqitje në Kupën e Botës, përpara se të tërhiqet përfundimisht nga futbolli i luajtur.

Në një intervistë për TUDN, ish-portieri i Salernitanës foli hapur për vendimin e tij:

“Po largohem i qetë. Është e vështirë, pa dyshim, por për mua nuk do të jetë shumë e tillë, sepse e kam jetuar këtë për shumë vjet.

Vjen një moment kur mendja dhe trupi të thonë se ke dhënë gjithçka, se ke lënë gjithçka në fushë. Atëherë largohesh në paqe dhe ky është rasti im”.

Fjalët e tij shënojnë fundin e një epoke për një nga portierët më ikonë të dy dekadave të fundit, i njohur për paraqitjet spektakolare në Botërorë dhe për qëndrueshmërinë në nivele të larta.

Ochoa ka përfaqësuar Meksikën në pesë edicione të Kupës së Botës, duke u kthyer në një simbol për tifozët dhe një figurë të respektuar në skenën ndërkombëtare.

Tani, objektivi i tij është të arrijë edhe një pjesëmarrje të fundit, për të hyrë në një grup shumë të vogël legjendash që kanë luajtur në gjashtë Botërorë.