Ballina Politika Helmimi i 56 studentëve, PD publikon dokumentet: Si iu dha “Sori-AL” tenderi...

Helmimi i 56 studentëve, PD publikon dokumentet: Si iu dha “Sori-AL” tenderi 2.8 mln euro nga OBP-ja për ushqimet. Gara fiktive, 3 operatorët e tjerë nuk paraqitën ofertë

55
0

Partia Demokratike ka reaguar lidhur me helmimin e 56 studentët e të Akademisë së Sigurisë. Në një deklaratë për mediat zëdhënësja e antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli theksoi se studentët u helmuar pasi dyshohet se konsumuan ushqim të kontaminuar, ndërsa akuzon qeverinë për korrupsion.

Vangjeli tha se kompania Sori-AL me administratore Alma Tafani, e shpallur në kërkim prej ditës së djeshme, është favorizuar në marrjen e tenderit 2.8 mln euro nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara, ndërsa gara ka qenë fiktive pasi operatorët e tjerë ekonomikë nuk kanë paraqitur ofertë reale dhe si rrjedhojë janë skualifikuar.

foto galeri

 

foto galeri foto galeri

 

PD kërkon hetim të plotë lidhur me këtë çështje. Gjithashtu bën thirrje që qytetarët të bashkohen në protestën e sotme të paralajmëruar në orën 19:00, kundër padrejtësive ndaj tyre.

Deklarata

Këtë të mërkurë, rreth 56 studentë të Akademisë së Policisë përfunduan në urgjencën e QSUT me simptoma helmimi, pasi dyshohet se konsumuan ushqim të kontaminuar në ambientet e Akademisë së Sigurisë.

Komplikacionet nisën pas konsumimit të vaktit të drekës, duke vënë në rrezik shëndetin e të rinjve.

Nuk është hera e parë që helmime masive ndodhin në institucione publike, ku viktima bëhen studentë, fëmijë dhe qytetarë të pafajshëm. Sa herë duhet të përsëriten këto skandale që shteti të mbajë përgjegjësi?

Shkaku i vërtetë i këtij helmimi nuk është vetëm ushqimi i kontaminuar. Shkaku është vetë shteti. Janë ministrat, drejtorët dhe zyrtarët që kanë kthyer tenderat publikë në mekanizëm grabitjeje dhe pasurimi personal.

Nga viti 2019 e në vijim, kontratat për shërbimin e gatimit nuk lidhen më me afat njëvjeçar, por trevjeçar, ndërkohë që kushtet bazë pothuajse nuk ndryshojnë.

Ajo që ndryshon është vetëm vlera, e cila vetëm rritet dhe sigurisht paguhet nga taksat e shqiptarëve.

Në vitin 2019, Agjencia e Blerjeve të Përqendruara pranë Ministrisë së Brendshme prokuroi shërbimin e gatimit dhe shpërndarjes së ushqimit për Akademinë e Sigurisë me rreth 47 mijë euro në muaj, ose 1.7 milion euro për tre vite.

Ndërsa në tenderin e fundit të vitit 2025, të zhvilluar nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara, përveç një garë fiktive, ku nga tre operatorë pjesëmarrës, vetëm fituesi paraqiti ofertë reale dhe dokumentacion, ndërsa dy të tjerët nuk dorëzuan asgjë dhe u skualifikuan, për të njëjtin objekt u prokuruan pothuajse 80 mijë euro në muaj, ose 2.8 milion euro për tre vite.

Pyetja që shtrohet sot është e thjeshtë: ku shkuan milionat shtesë të shqiptarëve? Kush përfitoi nga fryrja me gati 70% e këtyre kontratave?

A po përdoren këto tendera si skema korruptive për të mbushur xhepat e ministrave dhe drejtorëve të Edi Ramës, ndërkohë që studentëve u jepet ushqim që i çon në spital?

Partia Demokratike kërkon hetim të plotë dhe transparent për këtë skandal, si dhe mbajtjen e përgjegjësisë penale dhe administrative për çdo zyrtar të përfshirë në këto prokurime abuzive që rrezikojnë jetën dhe shëndetin e qytetarëve.

Sot nuk kemi thjesht një helmim masiv. Sot kemi një shtet të kalbur nga korrupsioni, ku fondet publike vidhen, ndërsa qytetarëve u kthehet pasiguri, varfëri dhe rrezik për jetën.

Ndaj, ftojmë të gjithë qytetarët sot në orën 19:00 përpara Kryeministrisë, për të protestuar kundër këtij regjimi që po vjedh, po shtyp, po varfëron dhe tashmë po rrezikon edhe jetën e shqiptarëve.