Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka shpërndarë një telegram në të gjitha drejtoritë vendore dhe komisariatet e policisë në vend, duke kërkuar masa të menjëhershme për goditjen e shpërndarjes së drogës dhe mbajtjes së armëve të ftohta në shkolla dhe në perimetrin e sigurisë së tyre.
Në dokumentin e siguruar, Hita ngre shqetësimin për disa ngjarje të rënda të regjistruara gjatë vitit shkollor 2024-2025, ku nxënës apo persona të tjerë kanë hyrë në ambiente arsimore me sende të ndaluara, duke shkaktuar incidente që kanë rrezikuar jetën dhe sigurinë e nxënësve, si edhe kanë cenuar zhvillimin normal të procesit mësimor.
Telegrami evidenton si problem kryesor shpërndarjen e lëndëve narkotike pranë shkollave, por edhe mbajtjen pa leje të armëve të ftohta.
Kreu i Policisë së Shtetit pranon në dokument se një pjesë e këtyre ngjarjeve kanë ardhur si rezultat i punës së dobët të strukturave policore, të cilat sipas tij nuk kanë reaguar në kohë për parandalimin dhe goditjen e këtyre fenomeneve kriminale.
Në urdhrin e dërguar drejtuesve vendorë, kërkohet organizimi i shërbimeve të posaçme policore në çdo institucion arsimor, duke vendosur agjentë të policisë kriminale pranë shkollave për të monitoruar situatën dhe për të goditur shpërndarësit e drogës.
Gjithashtu, parashikohen kontrolle të befasishme nga strukturat e narkotikëve, agjentët e komisariateve dhe forcat operacionale për kapjen në flagrancë të personave që futen në shkolla për të shpërndarë lëndë narkotike.
Një tjetër pikë e rëndësishme e telegramit lidhet me shtimin e përdorimit të metodave speciale të hetimit për dokumentimin e aktivitetit kriminal pranë institucioneve arsimore. Ndërkohë, strukturat e Krimit Ekonomik, në bashkëpunim me komisariatet, janë urdhëruar të mos lejojnë shitjen e produkteve të ndaluara për të miturit nën 18 vjeç.
Skënder Hita ka paralajmëruar gjithashtu masa disiplinore ndaj drejtuesve apo efektivëve që nuk zbatojnë detyrat, duke kërkuar analiza të detajuara për çdo rast problematik dhe nisjen e hetimeve disiplinore kur konstatohen shkelje.
Në fund të telegramit, drejtoritë vendore të policisë urdhërohen të raportojnë çdo javë në strukturën qendrore për masat e marra, rezultatet e arritura dhe problematikat e hasura në terren.







